Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar për herë të parë, Alexander Kasanofin, që kur mori rolin e postit të zëvendës-ndihmëssekretarit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me fokus për Ballkanin Perëndimor.
Osmani e takoi Kasanofin në kuadër të forumit global të sigurisë GLOBSEC 2024 që po mbahet në Pragë të Çekisë.
Siç ka njoftuar presidentja në Facebook, me Kasanofin ka pasur “diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi”.
Ndërsa në një njoftim të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë është thënë se në takim është diskutuar për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” dhe “rëndësinë e konsultimit me bashkësinë ndërkombëtare”.
Kasanof mori detyrën në mes të korrikut.
Para tij, në këtë post ishte Gabriel Escobar, që u largua në maj.