Arbëri

Gjermania, Franca e Britania kritikojnë “veprimet e pakoordinuara” në veri

Rohde - G

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kritikuar institucionet e Kosovës për aksionin e së premtes në veri, ku u mbyllën pesë objekte të strukturave paralele serbe

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i është bashkuar reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit kundër aksionit të Policisë së Kosovës në veri për mbylljen e strukturave paralele serbe. Sipas ndërkombëtareve ky ka qenë aksion i njëanshëm.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në Twitter të premten.

Ngjashëm ka reaguar edhe ambasadori francez, Olivier Guerot. Ai ka thënë se “veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në Twitter.

E ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves ka thënë se lëvizjet që prekin mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera “kërkojnë konsultim të kujdesshëm me aleatët e palëkundur dhe partnerët e sigurisë, në kontekst të dialogut më të gjerë”.

Sipas tij, veprimet e së premtes nuk ishin të tilla dhe “rrezikojnë nxitjen e tensioneve dhe të prekin më të cenuarit”.

Reagimi i tyre pason atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një reagim të Ambasadës amerikane në Kosovë aksioni i së premtes në veri është cilësuar si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.

Të premten pasdite, Qeveria e Kosovës njoftoi se në një aksion të Policisë së Kosovës janë mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në katër komunat në veri të vendit.