Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë bërë homazhe te Përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, e vendosur të Kuvendi.
Kurti tha se ankthi i familjeve të personave të zhdukur vazhdon të jetë i madh, porse qëndrueshmëria e tyre është e lartë. Ai tregoi se kanë filluar gërmimet në Kozhle të Serbisë dhe në 13 lokacione të Kosovës për të parë nëse mund të zbardhet fati i këtyre personave.
Kurti ritheksoi thirrjen e tij ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për hapjen e arkivave.
"Kanë filluar gërmimet edhe në Kozhle, është një vend në Serbi, në sanxhak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, tash të shohim se çfarë rezultatesh do të mund të kemi prej atje. Ndërkaq, këto ditë janë duke u bërë gërmime vlerësuese në 13 lokacione në Kosovë. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne i kemi borxh që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pa gjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre…Në vitin 2014, para dhjetë vjetëve arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet, kjo i bie që nuk do të hapet deri në vitin 2044.. Aty është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës. Andaj, ne iu bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë ky gërmim në Sangjak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, të merret një vendim i ri dhe arkiva e brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet", tha Kurti.
Homazhe ka bërë edhe Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, në Ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë.
Kryetari i shoqatës "Zëri i Prindërve", Bajram Qerkini, u shpreh i zhgënjyer me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare me atë se çfarë është bërë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
"Në një ditë ndërkombëtare të personave të pagjetur. Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pa gjetur...Sa kemi bërë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer, jemi jo të kënaqur me institucionet as vendore, as ndërkombëtarë se fajin e ka Brukseli, ku ndërkombëtarët nuk e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë", tha Qerkini.
Nderime kanë bërë po ashtu ambasadorët e SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe në Kosovë.
Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur - Mbi 1.600 të zhdukur nga lufta e fundit
Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Në Kosovë janë edhe mbi 1600 persona të zhdukur.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës në koordinim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Marshi përkujtimor fillon nga ora 09:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të arritur te Lapidari dedikuar personave të zhdukur, pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Vendosja e luleve te lapidari për persona të zhdukur fillon në orën 10:00. Vizita dhe homazhe në lokacionin e pranimit të mbetjeve mortore gjatë procesit të riatdhesimit afër pikë kalimit kufitar në Merdar fillon nga ora 12:00.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.
Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës./ KP