Arbëri

Ndihmëssekretari i NATO-s, Goffus dhe emisari gjerman Sarrazin sot në Kosovë

Thomas Goffus

Ndihmësekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus, sot pritet ta vizitojë Kosovën. 
Vizitën e Goffusit e paralajmëroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën, i cili tha se ndër temat do të jetë edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se të enjten për vizitë në Kosovë do të jetë ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus.

“Të enjten për vizitë vjen Thomas Goffus, ndihmësekretari i përgjithshëm për Operacione i NATO-s…ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s. Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull”, tha kryeministri Kurti të mërkurën.

E po ashtu sot në vizitë në Kosovë do të jetë emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin. 

“Manuel Sarrazin, përfaqësuesi special i Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor do ta vizitojë Kosovën. Pas takimeve zyrtare, Sarrazin do të japë një deklaratë për media para largimit”, është thënë në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë.