Qëllimi i kësaj thirrjeje, sipas Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, është përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve sa i përket efiçiencës së energjisë, si dhe ulja e faturave të energjisë elektrike. Tek u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për subvencionim, kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të thirrjes ka deklaruar se “kush aplikon i pari, shërbehet i pari”
Me qëllim që të ulen shpenzimet për energjinë elektrike është lansuar të hënën, për të dytën herë, thirrja publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.
Qëllimi i kësaj thirrjeje, sipas Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, është përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve sa i përket efiçiencës së energjisë, si dhe ulja e faturave të energjisë elektrike.
Tek u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për subvencionim, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar gjatë lansimit të thirrjes se “kush aplikon i pari, shërbehet i pari”.
“Një ndër masat më të mirëpritura nga qytetarët vitin e kaluar, e me ndikimin më të madh e pozitiv në afat të gjatë, është pikërisht kjo që po lansojmë sot, masa për efiqiencën e energjisë në shtëpitë individuale... Kësaj radhe thirrja parashihet që të jetë e hapur për dy javë, por duke pasur parasysh përvojën pozitive të familjeve dhe interesimin e madh për këtë thirrje, ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë, sepse kush aplikon i pari shërbehet i pari...Kësaj here synojmë t'i subvencionojmë edhe 1 mijë e 300 familje të tjera për t'i izoluar shtëpitë e tyre”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se pakoja është pjesë e përkrahjes emergjente të Bashkimit Evropian (BE), prej së cilës Kosova ka përfituar 75 milionë euro. E këtë shumë, Kurti e ka kualifikuar si më të lartën për kokë banori në rajon.
“Kur kemi dizajnuar këtë pako, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afat-shkurte. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset tona”, ka theksuar ai, teksa ka shtuar se nga thirrja e parë kanë përfituar 2.100 familje me mbi 12 mijë anëtarë, në një vlerë totale të subvencionit prej 7.9 milionë euro. “Kësaj here synojmë të subvencionojmë 1.300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre”, ka thënë Kurti.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kjo skemë pitet që të ketë vazhdimësi edhe në të ardhmen.
“Në vitet e ardhshme plani është që kjo skemë të vazhdohet përmes një sistemi më të vetqëndrueshëm të financimit në të cilin Fondi është duke punuar me përkrahjen e partnerëve për të zhvilluar dhe për të zgjedhur një model të financimit”, ka theksuar Rizvanolli.
Driton Hetemi, drejtor menaxhues i Fondit i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka folur për ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo masë do ta ketë në faturat e energjisë elektrike.
“Për t'i ilustruar impakitn e masave të efiçiencës së energjisë nga thirrja e parë publike ekipi jonë e inxhinierëve ka bërë një analizë preliminare dhe rezulton se nga të gjitha masat e realizuar nga ato shtëpi kemi izoluar rreth 600 mijë metra katror të sipërfaqeve të mureve të jashtme, kemi bërë 90 mijë kilometra katror të sipërfaqeve të kulmeve dhe kemi ndërruar rreth 13 mijë metra katrorë të dritareve dhe dyerve të jashtme. Përmes këtyre masave pritet që konsumi i energjisë për metër katror në vit të reduktohet nga 155 kilovat orë, në rreth 111 kilovat orë për këto shtëpi”, ka theksuar ai.
Në lansimin e thirrjes së dytë për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit i pranishëm ka qenë edhe Alessandro Bianciardi, nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili ka folur mbi rëndësinë e kësaj mase.
Aplikimi për këtë masë pritet që të fillojë nga e marta në orën 09:00 dhe parashihet që të zgjasë dy javë.