Në dëshminë që është përqendruar në kohën e pasluftës së viteve 1998-1999, Russell ka deklaruar se në kuadër të një operacion të KFOR-it, i cili asokohe u pati zhvilluar në Gjilan, në një lokacion për të cilin Prokuroria pretendon se ka qenë vend i torturës, ka parë njolla të freskëta të gjakut. Prokurori, Matthew Halling, e ka pyetur dëshmitarin lidhur me vendin, për të cilin ka thënë se ka qenë “dhomë e torturës”, duke u bazuar në një dëshmi parapake të dëshmitarit. Dëshmitari i është përgjigjur duke thënë se e ka parë një njollë gjaku të freskët, me diametër prej 40-centrimetrash, në një vend ku kishte edhe mjete të mprehta
Pjesëtari i Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (SHBA), Steven Russell, e ka nisur të hënën dëshminë e tij në Speciale, në kuadër të rastit në të cilin ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në dëshminë e tij që është përqendruar në kohën e pasluftës së viteve 1998-1999, Russell ka deklaruar se në kuadër të një operacion të KFOR-it, i cili asokohe u pati zhvilluar në Gjilan, në një lokacion për të cilin Prokuroria pretendon se ka qenë vend i torturës, ka parë njolla të freskëta të gjakut.
Prokurori, Matthew Halling, e ka pyetur dëshmitarin lidhur me vendin, për të cilin ka thënë se ka qenë “dhomë e torturës”, duke u bazuar në një dëshmi parapake të dëshmitarit.
“Në dëshminë tuaj të datës 9 gusht 1999, në këtë pjesë të deklaratës suaj ju flisni për Ahmet Isufin dhe dhomën e torturës dhe ju deklaroni: ‘E kanë futur atë në dhomë, më kujtohet në lëvizje dhe gjak në dysheme, instalime elektrike, prizat që ishin aty, tela, afër një karrigeje kishte shkopinj, një gyp, se disa shkopinj ishin aty’, pra kuptohej se çfarë po ndodhte, por duke u përqendruar te përshkrimi juaj, paraqitja e dhomës se si dukej, a mund të na përshkruani ku ishte në dysheme gjaku”, ka pyetur Halling.
Dëshmitari i është përgjigjur se e ka parë një njollë gjaku të freskët, me diametër prej 40-centrimetrash, në një vend ku kishte edhe mjete të mprehta.
“Me sa më kujtohet, kur jemi futur në bodrum, në anën e djathtë ishte një vend ku ishte si një pjesë e ndarë, një karrige dhe disa instrumente të mprehta. Kishte njolla gjaku në dysheme. Pra, e gjitha ishte në një pjesë të izoluar në një qosh... (Njollat e gjakut v.j) ishin afër njëra-tjetrës”, është shprehur ai.
Në vendin ku janë kryer bastisje, dëshmitari ka thënë se krahas gjakut të freskët pati parë edhe një person të vrarë.
“Nuk ia dija unë por kompania e policisë ushtarake e dinte dhe e mbronte identitetin e saj. Unë si veteran luftërash në tri vende dhe kam marrë pjesë në luftime të ndrysmë të egra, e di dallimin në mes të një gjaku të vjetër dhe një gjaku që është derdhur kohëve të fundit”, ka thënë Russell, tek i është përgjigjur pyetjes së avokates së Thaçit, Nina Tavakoli, lidhur me rastin.
Tek ka folur për lirimin e një civili serb, i cili është identifikuar si Velibor (Bora) Stankoviq nga Shillova dhe të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e prezantoi si bujk, dëshmitari Russell ka thënë se ai ishte detyruar që ta nënshkruante një deklaratë në të cilin ka pranuar se ka qenë në anën e forcave serbe dhe i armatosur.
“Siç më raportoi kapiteni Willis kur arriti te pika e grumbullimit në Malishevë, ai dhe ushtarët e tij që e realizuan lirimin e mashkullit të rrëmbyer, e gjetën këtë shënim, e gjetën se ku ishte marrë në pyetje dhe ishin në gjendje, pra, që ta lironin atë – e pastaj e morën në mbrojtjen e tyre”, ka theksuar dëshmitari.
Ai ka thënë po ashtu se kur ai është liruar, familjarët e Stankoviqit kanë qenë në shok dhe qanin nga gëzimi, pasi që druanin se nuk ishte më i gjallë.
Ushtaraku amerikan ka deklaruar po ashtu në periudhën e hershme të pasluftës janë konfiskuar në vazhdimësi autorizime për përdorimin e armëve kur kjo gjë lejohej me ligj por edhe dokumente në të cilat shkruhej se pjesëtari i UÇK-së mund të hynte e të shfrytëzonte banesë të huaj, dhe ka thënë se ato janë konfiskuar pasi që janë konsideruar si të jashtëligjshme.
“Jo vetëm që i kemi parë, por edhe i kemi sekuestruar sa herë i kemi hasur ose me personat që kanë bërë punë të paautorizuar policie”, ka thënë dëshmitari Russell.
Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së, të publikuar në shkurt të 2023-s, të pandehurit akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni, shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, të krimeve që janë kryer dhe se kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë nëpërmjet tyre. Të akuzuarit, siç pretendohet në aktakuzë, janë përgjegjës personalisht për frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të ndaluar nëpër qendra ndalimi.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur hierarki të atillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe atyre lokale, e aq më pak dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.
Ushtaraku amerikan dëshmon në rastin më të madh të Speciales
(E përditësuar në 10:41) - Steve Russell, oficer i amerikan i këmbësorisë, ka nisur dëshminë e tij në Speciale. Ai i ka konfirmuar deklaratat paraprake të dhëna pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Trupi gjykues i dhomave të Specializuara e ka aprovuar kërkesën që me të në sallë të jenë tre përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Parashtrimi i pyetjeve nga prokuroria ka nisur me pyetjet lidhur me çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë procesin e dorëzimit të armëve nga UÇK-ja te KFOR-i.
Prokurori Matthew Halling e pyeti dëshmitarin për një dokument ku tha se UÇK-ja përkushtohet për të mos i dëmtuar civilët. Tha se ka nënshkrim të Hashim Thaçit. E dëshmitari e konfirmoi dokumentin e më pas ai u pranua si provë materiale.
“Neni 10 flet për faktin që UÇK-ja, po flasim për nenin 10D, pra që UÇK-ja angazhohet për të mos sulmuar, për të mos ndaluar asnjë civil në Kosovë ose të mos konfiskojë apo të dhunojë pasurinë e civilëve në Kosovë. A e kuptoni kështu që UÇK-ja është zotuar apo që i ka marrë përsipër detyrimet për të mos e bërë këtë gjë që sapo e lexova ju?”, pyeti Halling.
“Po”, u përgjigj Russell.
Halling gjithashtu ka paraqitur në seancë një dokument, që prokuroria thotë se ka qenë “autorizim”, i lëshuar nga UÇK-ja. Këto “autorizime” sipas Prokurorisë përdoreshin nga persona të ndryshëm.
“Besoj që e shihni dokumentin në fund te “Autorizim”, te “Policia” e kartës dhe këtu thuhet se poseduesi i këtij letërnjoftimi zyrtar është person i autorizuar zyrtar i cili ka të drejtë të mbajë armë zjarri dhe ta përdorë atë në rastet kur parashihet me ligj, ta bëjë legjitimimin e personave dhe t’i sjellë ata në organet e policisë, të hyjë në banesë të huaj pa leje, të shërbehet me mjetet e huaja të transportit dhe me telefon si dhe të konfiskojë mjetet të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Dëshmitar a keni parë autorizime ose dokumente autorizuese policie të kësaj natyre?”, ka theksuar Halling.
Dëshmitari Russell ka thënë se “Jo vetëm që i kemi parë, por edhe i kemi sekuestruar sa herë i kemi hasur ose me personat që kanë bërë punë të paautorizuar policie”.
“Besoj që është e qartë nga përgjigja se i keni sekuestruar meqë ishin autorizime të paligjshme apo jo?”, ka pyetur prokurori.
“Po sepse autorizimet i jepnin vetëm Kombet e Bashkuara (UNMIK-u v.j)”, ka theksuar dëshmitari Russell.
Seanca e parë e Speciales pas pushimit veror nis me probleme teknike
I akuzuari Jakup Krasniqi i cili po e përcillte seancën në distancë nuk ka mundur ta dëgjojë përkthimin.
Trupi gjykues caktoi pesë minuta pushim për ta rregulluar problemin teknik.
Para se të dilte trupi gjykues nga salla në transmetim u dëgjua Krasniqi duke thënë po ju dëgjoj.
Megjithatë transmetimi u ndërpre pasi trupi gjykues doli nga salla.
Pas më pak se pesë minutash rinisi transmetimi.
Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të hënën është paralajmëruar dëgjimi i një dëshmitari në seancë publike.
Sot vazhdon gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë
Sot në dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Seanca, e para pas pushimit verore, është paraparë të nisë në orën 9:00.
Në rastin para Gjykatës Speciale, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Veseli e Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, të publikuar në shkurt të 2023-s, ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.