Hapja e urës për qarkullim të automjeteve është e drejtë universale dhe për këtë duhet të binden ndërkombëtarët, ka thënë zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku. Ndonëse ruajtja e aleancave me ndërkombëtarët sipas tij është jetike për vendin, megjithatë ai kërkon nga institucionet që të bëjnë më të mirën për ta hapur urën
Të drejtë universale të lëvizjes së qytetarëve po e quajnë në Komunën e Mitrovicës së Veriut hapjen e urës për qarkullim me vetura. Skënder Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të kësaj komune, ka theksuar se për t’u hapur ura duhet të bindet bashkësia ndërkombëtare.
“Shpresoj që Kosova e vogël, do ta kalojë edhe këtë test... Duhet të punojmë fort dhe t’i bindim që jemi në një vijë dhe momenti i hapjes duhet të jetë moment normal, kur ura do të hapet me të gjithë qytetarët pa dallim etnie. Nuk është pa arsye fjala që ‘politika është art i të pamundurës’. Ne duhet ta bëjmë të pamundurën dhe të arrijmë në këto rrethana që t’i ruajmë edhe miqtë, por edhe ta mbrojmë një të drejtë universale e cila i takon të gjithëve”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, është vështir t’i bësh të gjitha palët të kënaqura. Por shton se duhet edhe insistim i madh e edhe komunikim intensiv si me qytetarët, ashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare për të mos e kundërshtuar hapjen e urës.
Sadiku nuk e ka përjashtuar mundësinë që për urën të dialogohet, ndonëse thotë se marrëveshja për të është arritur shumë vite më parë.
“Më mirë është të ridiskutohet sesa të ketë tensione. E mira e së mirës është që të hapet, të mos ketë fare diskutim”, ka deklaruar Sadiku.
Derisa shprehet optimist për hapjen e urës, ai thotë se banorët e Komunës së Mitrovicës së Veriut kërkojnë normalitet, perspektivë e punësim dhe se ura nuk është çështja numër një për ta.
Sadiku thekson se te komuniteti serb ka mirëkuptim për hapjen e urës dhe se ajo po kundërshtohet nga vetëm një grup i vogël.
Qeveria njoftoi një muaj më parë për synimin që ta hapë për automjete urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe. E ky synim u kundërshtua nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Edhe KFOR-i ka deklaruar se me hapje të urës rrezikohet siguria e rajonit, derisa ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se me hapje të urës rrezikohen ushtarët e NATO-s.
Posaçërisht kundërshtuese ka qenë Serbia, e cila i ka kërkuar vazhdimisht ndërkombëtarëve që urën ta mbajë të mbyllur për automjete.
Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që ura të hapet duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për të qenë e mbyllur.