Arbëri

Kërkohet që Ramadani të mos u kthehet autoriteteve në Maqedoni, pas arratisjes

Familjarë dhe bashkëfshatarë të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i janë gëzuar të premten kthimit të tij në vendlindje, pas arratisjes nga arresti shtëpiak që i është caktuar në Maqedoninë e Veriut. Ata u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që të mos e kthejnë Ramadanin në Shkup. Por në Ministrinë e Drejtësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për masat që pritet të ndërmerren ndaj Ramadanit

Rruga afër shtëpisë në Komunën e Ferizajt të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK), Blerim Ramadani, të premten ka qenë e mbushur me pllakate me fotografinë e tij dhe me pankarte me mbishkrimin: “Po të presim Çlirimtar”.

Ramadani është kthyer në Kosovë, pasi që të enjten është arratisur nga arresti shtëpiak, masë kjo të cilin ia kanë caktuar autoritetet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut pas arrestimit të tij muajin e shkuar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia. 

Avni Nuhaj, bashkëfshatar i Ramadanit, është shprehur i lumtur për kthimin e tij në vendlindje.

“Blerimin e kemi pritur të gjithë gëzueshëm, sepse është ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kanë dënuar padrejtësisht dhe është dashtë që ta marrë vendimin për t’u arratisur prej atje, për shkak të ekstradimit në Serbi. Gjendja e tij është e mirë, në vendlindje të vet, në shtëpi të vet, te familja, te shoqëria”, ka thënë Nuhaj.

Ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos e kthejnë Ramadanin në Maqedoninë e Veriut.

“Kisha dashtë prej të gjitha institucioneve të Kosovës që me ia ofru një siguri, që mos ta maltretojnë me e marrë prapë, por duhet me qëndru në vendin e tij, në vendlindjen e tij”, ka thënë ai.

E vetë Ramadani, pavarësisht insistimit të KOHËS për t’u deklaruar rreth arratisjes, nuk ka pranuar që të prononcohet lidhur me ikjen nga arresti shtëpiak në Shkup, me arsyetimin se do të prononcohet në një kohë tjetër.

Avokati Arianit Koci ka thënë të premten se gjykimin ish-ushtari i UÇK-së do të duhej të vazhdonte në Kosovë.

“Serbia, luftëtarët e UÇK-së i trajton si terroristë. Në rastin konkret, Blerimi është në Kosovë, Maqedonia e ka kuptuar që ai është në Kosovë, tash ai është i kërkuar edhe prej autoriteteve maqedonase, por edhe prej atyre serbe. Kosova nuk e ekstradon qytetarin e vet. Kosova mund të kërkojë nga Maqedonia të gjitha dokumentet, ta analizojë rastin, ta fillojë një procedurë dhe ta mbajë gjykimin. Unë jam i bindur se edhe nëse mbahet gjykimi në Kosovë, Blerimi do të shpallet i pafajshëm”, ka thënë Koci.

KOHA ka adresuar pyetje në Ministri të Drejtësisë në se pritet që të merren masa lidhur me arratisjen e Ramadanit nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut, por zyrtarë të këtij dikasteri nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së premtes.

Ramadani, i cili është nga Komuna e Ferizajt, është arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Jazhincë. 

Autoritetet maqedonase e kanë arrestuan në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, nëpërmjet INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte. Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim më 8 gusht për ta refuzuar kërkesën për ekstradimin e Ramadanit në Serbi ndërsa atë e ka vendosur në arrest shtëpiak. Arratisja e tij ka nxitur reagime të shumta në Serbi dhe në Maqedoninë Veriore.