Caktimi i 9 shkurtit si datë për votim është përcjellë me reagimin e partive opozitare. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 9 shkurti do ta shënojë “ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”. Ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një rrugë të re për Kosovën, e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se tash “po vjen koha e ndryshimit”
Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 9 shkurtin e 2025-s datë për mbajtjen e zgjedhjeve të para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
Në dekretin e nënshkruar të premten, Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe për mbajtjen e zgjedhjeve.
Para caktimit të datës, presidentja Osmani ka zhvilluar konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike dhe me ata të KQZ-së.
Këshilltari politik i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se vendimi është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe të çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike. Ai ka theksuar se 9 shkurti është zgjedhur si “datë optimale që i balancon preferencat e të gjitha palëve të vështira”.
“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike, të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, ka shkruar Kupina në Facebook, teksa ka shtuar se presidentja së shpejti do t’i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t’i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor.
Në takimin e 31 korrik që presidentja Osmani e zhvilloi me udhëheqës të partive parlamentare nuk ka marrë pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministri, Albin Kurti. Pas këtij takimi, Osmani pati thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, e cila bazuar në afatet ligjore, duhej të caktuar më 26 janar apo 2, 9 e 16 shkurt.
Në LVV të premten kanë thënë se kryetari Kurti ia ka përcjellë Osmanit propozimin e tij që zgjedhjet të mbaheshin më 2 shkurt. Më herët, në tri partitë kryesore të opozitës – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë shprehur preferencë që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
Caktimi i 9 shkurtit si datë për votim është përcjellë me reagimin e partive opozitare.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 9 shkurti do ta shënojë “ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
Duke e komentuar vendimin e presidentes për datën, Krasniqi e ka cilësuar të panevojshme “shtyrjen” deri më 9 shkurt.
“Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit të ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit. Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. “Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun (Bedri Hamzën) në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një rrugë të re për Kosovën, pas 9 shkurtit.
“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë! Le të bëhemi bashkë! Më 9 shkurt, le të ringritemi si një!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka theksuar se tash pas caktimit të datës së zgjedhjeve “po vjen koha e ndryshimit”.
“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit. Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, ka shkruar ai në Facebook.
2025-a është vit i rregullt zgjedhor. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është e para që nga shpallja e pavarësisë që e përfundon një mandat të plotë katërvjeçar. Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, porse më herët gjatë këtij viti patën dështuar që të arrinin pajtim për mënyrën se si duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.