Arbëri

Vendimi i MASHTI-t për subvencionimin e librave shihet i paligjshëm e më i kushtueshëm

Në Këshillin e Prindërve kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e së martës të Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore. Sipas këtij këshilli, ka ende prindër që nuk janë subvencionuar nga shteti për tekstet shkollore të vitit të shkuar. E grupi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” e ka quajtur këtë praktikë të paligjshme teksa në opozitë e kanë kualifikuar si të dëmshme për buxhetin

Metodë joefikase e kanë kualifikuar të mërkurën në Këshillin e Prindërve të Kosovës vendimin e një dite më parë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për t’i subvencionuar edhe sivjet prindërit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit. 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur të martën në një konferencë shtypi se prindërit e nxënësve që i vijojnë mësimet në nivelin fillor do të subvencionohen me nga 80 euro për blerjen e librave, teksa ata të nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën me 110 euro. 

Por Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve, ka shprehur vërejtjen se kjo metodë, e cila është aplikuar për herë të parë më 2023, është joefikase pasi që ka thënë se ka ende prindër që nuk janë subvencionuar nga shteti për blerjen e librave në vitin e kaluar. 

“E di që kjo do të paraqesë problem prapë, pasi vitin e kaluar kemi pasur kërkesa dhe ankesa dhe prindër që për shkak se është bërë subvencionimi me vonesë, plus asaj mungesa e teksteve e ka bërë të veten, është dashtë një kohë derisa të stabilizohet procesi mësimor. Kemi prindër që nga viti i kaluar kanë mbetur pa u subvencionuar”, ka thënë Islami.

Ai e ka shprehur zhgënjimin që MASHTI-i nuk ka bërë konsultime me Këshillin e Prindërve lidhur me vendimin.

“Ne si Këshill i Prindërve jemi këshilluar për një vendim të tillë, këtë vit Ministria e Arsimit nuk është konsultuar me Këshillin e Prindërve dhe kemi thënë edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit që të mos bëhet subvencionimi, por të bëhet shpërndarja e teksteve”, ka thënë Islami. Ai theksoi se shuma e ndarë për vitin e kaluar nuk ka qenë e mjaftueshme për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. 

E kjo metodë është kundërshtuar edhe nga grupi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch”, e përbërë nga GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, teksa ka bërë thirrje që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime.

“MASHTI, për të dytin vit radhazi, ka bërë shkelje ligjore pavarësisht se kishte një vit të tërë në dispozicion për të siguruar që ky proces të ishte në përputhje me ligjin dhe interesin publik, ajo dështoi plotësisht të planifikojë dhe të përmbushë detyrimet e saj, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie nga ana e ministrisë”, është thënë në reagimin e grupit. 

Reagime të mërkurën ka pasur edhe nga subjektet opozitare. Nënkryetarja e Partisë Demokratike (PDK), Besianë Musmurati, ka thënë se kjo metodë është më e kushtueshme për buxhetin e shtetit.
“Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra, edhe vonë, edhe gati trefish më shtrenjtë se nga vitet e kaluara. Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria më herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro”, ka thënë ajo në një konferencë shtypi, teksa ka shtuar se kjo do të krijojë vonesa në nisjen e procesit mësimor.

E anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), Jehona Sadriu-Lushaku, e ka quajtur ministren e Arsimit të paaftë. 

“Dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon të sigurojë librat shkollorë për nxënësit e Kosovës dhe kjo tregon që kjo ministri është e paaftë të përmbushë obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat. Tekefundit nuk është e rëndësishme sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në banka më 1 shtator”, ka thënë ajo. 

Ministria e Arsimit e ka shfrytëzuar buxhetin e ndarë për digjitalizimin e sistemit arsimor për t’i subvencionuar prindërit në vitin e shkuar. Për subvencionimin e sivjetmë të mërkurën është hapur vjegëza për aplikim në platformën e-Kosova.

Teksa është përcaktuar shuma për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore, në MASHTI kanë thënë se ende nuk i dinë çmimet e sakta të teksteve shkollore. 

Bazuar në aktivitetin e prokurimit për blerjen e librave, Ministria ka pasur në dispozicion 9.4 milionë euro për blerjen e librave. E të mërkurën Qeveria ka ndarë edhe 6.5 milionë euro për MASHTI-in në funksion të subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

Vitin e shkuar procesi mësimor pati filluar më 1 shtator, porse, sipas drejtorive të Arsimit, disa nxënës nuk janë furnizuar me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E MASHTI-i ka konfirmuar se disa prindër nuk janë subvencionuar deri në muajin maj.