Ende nuk janë shuar zjarret në bjeshkët e Prevallës që kanë nisur qysh herët, është thënë nga Policia.
Ekipeve të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente u ishte vënë në ndihmë edhe Policia, ashtu si edhe disa vullnetarë. Megjithatë, nuk është arritur që të lokalizohen deri mbrëmjen e së dielës.
Në faqen e Komunës së Prizrenit janë shpërndarë fotografi nga vendndodhja. Në postim thuhet se zjarri nuk është shuar ende për shkak të terrenit të vështirë. Sipas saj, do të intervenohet nga ajri.
“Zjarrfikësit e kanë bërë brezin e sigurisë dhe sipas informacioneve nesër do të intervenohet nga ajri”, ka njoftuar Komuna.
Zjarret në Prevallë, policia i vihet në ndihmë zjarrfikësve
Zjarret në bjeshkët e Prevallës po vazhdojnë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka pasur një takim me drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të tjerë për të koordinuar veprimet për shuarje të zjarrit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, ka thënë se policia i është vënë në ndihmë zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente për ta shuar zjarrin. Aksionit i janë bashkuar edhe disa vullnetarë.
“Lidhur me zjarrin në bjeshkët e Prevallës që në orët e mëngjesit, sot me datë 11.08.2024, komandanti i Stacionit Policor të Prizrenit ka pas takim me drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të tjerë dhe së bashku janë koordinuar për veprimet për shuarjen e zjarrit. Policia është vënë në ndihmë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente. Bashkë me zjarrfikësit në ndihmë për shuarjen e zjarrit në Prevallë kanë shkuar edhe disa vullnetarë”, ka njoftuar Bytyçi për KOHËN.