Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po “provokon dhe po tenton ta fusë në konflikt Serbinë dhe NATO-s”.
“Kurti po provokon, sepse koha e tij po mbaron dalëngadalë dhe dëshiron para zgjedhjeve në SHBA të shkaktojë konflikte. Ai nuk dëshiron të presë një ndryshim serioz në Shtëpinë e Bardhë dhe administratën amerikane dhe para kësaj po përpiqet të na kthejë kundër NATO-s. Ai është shumë nervoz”, ka thënë Vuçiq për gazetarët në Beograd, transmeton “Kosovo Online”.
Vuçiq ka folur për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit dhe po ashtu të mbylljes së filialeve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Vuçiq ka thënë se ka marrëveshje të nënshkruara për postën e telekomunikacionin. Ai thotë se edhe vetë vendet e QUINT-it po aludojnë që marrëveshjet janë shkelur brutalisht.
Ai ka folur edhe për tubimin e paralajmëruar nga serbët në veri.
“Po shpresoj që nesër KFOR-i të reagojë si duhet, që në përputhje me atë që kanë thënë ditët e kaluara, do ta mbyllin urën dhe do të parandalojnë pushtimin e shqiptarëve, sepse e pash që Bahtiri, me urdhër të Kurtit tashmë kishte caktuar një kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës”, tha Vuçiq.
Ai tha se beson se KFOR-i do ta ruajë paqen.
“Unë e di sa është e vështirë për njerëzit tanë dhe shpresoj që të mos na vendosin në një pozitë ku duhet të reagojmë, pasi do të ishte katastrofale për ne. Por, nganjëherë dikush ju vë në një pozitë nga e cila nuk mund të dilni. Por, besoj se ende mundemi”, tha Vuçiq.