Pozitën e rektorit e synojnë Arben Hajrullahu, profesor në Fakultetin Filozofik, Eda Vula, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, Isak Shabani, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike dhe Lidvana Spahiu, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë. Ky është konkursi i dytë për zgjedhjen e rektorit. Ky proces dështoi në muajin korrik, pasi asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën e votave nga anëtarët e Këshillit Drejtues
Guximi dhe vendosmëria për t’i luftuar ngacmimet seksuale dhe plagjiaturën është profili që studentët e stafi akademik e kërkojnë te rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, që do të votohet të mërkurën.
Studenti Ilir Kiçmari pret që kandidati që do të fitojë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues të jetë apartiak dhe i gatshëm të ndërmarrë veprime në modernizimin e programeve studimore.
“Ata që kanë bërë plagjiaturë ose kanë bërë ngacmime seksuale dhe është e vërtetuar prej instancave brenda Universitetit të Prishtinës ose jashtë që nuk kanë integritet akademik, ata nuk duhet të lejohet të japin mësim para studentëve”, ka thënë ai.
“Pika e tretë është autonomia që na duhet si Universitet i Prishtinës, dikush që vepron jo që koordinon me partitë politikë, por që është i pavarur e vepron në të mirë të studentëve”.
Pozitën e rektorit e synojnë Arben Hajrullahu, profesor në Fakultetin Filozofik, Eda Vula, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, Isak Shabani, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike dhe Lidvana Spahiu, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë.
Sipas asistentit në Fakultetin e Mjekësisë, Driton Vela, menaxhmenti i ri duhet të jetë i fokusuar në shkencë.
Ai po ashtu ka kërkuar që menaxhmentit të ri të mos i mungojë guximi në ndëshkimin e stafit akademik për shkeljet etike.
“Kredencialet akademike njëkohësisht rektorit të ri i japin edhe kredibilitet për të zbatuar reformat e nevojshme në Universitet, e sidomos në dritën e ndryshimeve të fundit, përkatësisht miratimi i statutit të ri”, ka thënë Vela. “Ka qenë mjaft publike dhe kjo duhet të merret seriozisht nga rektori i ri, çështja e abuzimeve të studentëve nga pjesëtarë të caktuar nga stafi akademik, rregullat duhet të jenë të ashpra dhe vendosmëria për ta luftuar këtë fenomen duhet të jetë pa hezitim nga ana e rektorit të ri”.
Ky është konkursi i dytë për zgjedhjen e rektorit. Ky proces dështoi në muajin korrik, pasi asnjë nga kandidatët nuk mori shumicën e votave nga anëtarët e Këshillit Drejtues.
Pozitën e rektorit e synuan: profesori i ekonomisë But Dedaj, profesori i matematikës, Faton Berisha, profesori i fizikës, Sefer Avdiaj dhe dekani i FIEK-ut, Isak Shabani, i cili është kandidat edhe në konkursin e rishpallur.
Dedaj dhe Avdiaj u eliminuan në rundin e parë, pasi nuk morën asnjë votë. Shabani e Berisha i morën nga tri, kurse tre anëtarë të Këshillit abstenuan.
Kandidatët në konkursin e parë fokus në planin e tyre qeverisës e kishin digjitalizimin e UP-së, ndërkombëtarizimin dhe harmonizimin e programeve studimore me tregun e punës. E ndërmarrja e veprimeve për ofrimin e ambienteve të sigurta për studentët nuk u përmend nga ta.
Muaj më parë 27 studente e akuzuan profesorin tashmë të suspenduar Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, ndërsa vitin e kaluar ish-profesori Bekim Bejta, u raportua për ushtrim të dhunës psikike ndaj studentëve ndër vite.
Pozita e rektorit parasheh mandat katërvjeçar, me mundësi të rizgjedhjes edhe për një tjetër.
Aktualisht pozitën e rektorit e mban Qerim Qerimi. Ai këtë pozitë e fitoi në vitin 2022, pasi rektori i atëhershëm Naser Sahiti u shkarkua nga Këshilli Drejtues me arsyetimin se nuk tregoi performancë të mirë në menaxhim.