Arbëri

Mbyllen nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, u ndaluan dy persona

Posta serbe

Foto: Kossev

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën mbylljen e nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

"Pas një shkrese/informate të pranuar nga ARKEP, se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK, njësite policore kanë shkuar për verifikimin e këtij informacioni. Informata ka rezultuar të jetë e saktë me çrast policia ka njoftuar prokurorin e shtetit. Pas verifikimit të gjendjes faktike në këto objekte kemi ardhur në përfundim se nuk kanë licenca dhe nuk janë të regjistruara prandaj në konsultim me prokurorin edhe janë mbyll për hetim të mëtejmë nga Drejtoria kundër Krimeve Ekonomike. Janë mbyllur gjithsej 9 objekte: tri në Mitrovicë të Veriut, tri ne Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok”, tha Elshani për KOHËN. 

Ai ka thënë se janë ndaluar dy persona dhe u janë shqiptuar tiketa për mospërfillje të urdhrit të policëve dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.  

Mbyllja e objekteve është dënuar prej Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.


ARKEP: Çështja e operimit të Postës serbe ishte tentuar të zgjidhej në Bruksel, pala serbe kundërshtoi

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar një komunikatë lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në objektet e postës serbe në veri. 

ARKEP ka thënë se çështja e operimit të postës serbe në të kaluar është tentuar të zgjidhej në kuadër të dialogut të Brukselit, por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe kjo asnjëherë nuk ishte trajtuar. 
ARKEP ka thënë se  subjekti në fjalë nuk është i regjistruar në ARBK, pra nuk posedon certifikatë biznese dhe numër fiskal. 

“Çështja e operimit të  postës serbe (JP Pošta Srbije) në të kaluarën është tentuar të zgjidhet në kuadër të dialogut  në Bruksel, por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në ‘Marrëveshjen për Telekomunikacion’ (Ref. Marrëveshja për Telekomunikacion, e vitit 2013), përkatësisht në pikën 5, në të cilën shprehimisht thuhet: ‘Ndonëse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre diskutimeve, të dy palët janë pajtuar ti diskutojnë ato në një fazë të mëvonshme. Pra, meqenëse është lënë që kjo çështje të diskutohet në një fazë të mëvonshme, deri më sot nuk ka pasur iniciativë për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e kësaj çështje, apo edhe ndonjë veprim konkret për ndalimin e operimit të postës serbe (JP Pošta Srbije). Për më tepër ky subjekt NUK figuron të jetë i regjistruar në ARBK, pra rrjedhimisht nuk posedon Certifikatë Biznesi, Numër Fiskal etj. Lidhur me operimin ilegal të postes serbe ARKEP në vazhdimësi ka bashkëpunuar dhe  shkëmbyer informata me Institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe konform përgjegjësive që ka është e gatshme të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe rregulloreve në fuqi”, është thënë nga ARKEP.
Policia e Kosovës të hënën ka zhvilluar aksion në nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, ndërsa gjashtë prej tyre i ka mbyllur ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë për veri Veton Elshani për “Kossev”. 


 


Policia me aksion në objektet e Postës së Serbisë në veri

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në objektet e Postës së Serbisë në veri. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është ndërmarrë pas një shkrese, informate të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), se në territorin e Kosovës operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe të paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Elshani ka thënë se pas kësaj informate njësitet policore kanë shkuar për verifikim të këtij informacioni.

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast policia ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, ka theksuar Elshani. 

VIDEO:

 

 

Në një njoftim të Policisë thuhet se deri tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin “posta ilegale të paregjistruara”.

“Sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës. Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga gjetjet do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore.

Nëpërmjet Postës së Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme që serbët i marrin si ndihma nga Serbia.