Arbëri

Kurti pas kundërshtimit të QUINT-it, BE-së e NATO-s: Ura e Ibrit duhet të hapet

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur qëndrimin se ura qendrore mbi lumin Ibër duhet të hapet, pak kohë pasi ambasadorët e vendeve të QUINT-it theksuan se, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës. Qëndrim kundër kanë shprehur edhe në BE

Hapja e Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përveç Bashkimit Evropian, është duke u kundërshtuar edhe nga vendet e QUINT-it: SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe e edhe nga NATO-ja.

Qëndrimi i tyre i është shpalosur kryeministrit Albin Kurti, në takimin që të premten ai ka mbajtur me përfaqësues diplomatik të vendeve të QUINT-it e përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pas takimit rreth një orësh, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ishte i shkurtër në mesazhin që përçoj derisa refuzoi të tregoj për arsyen e kundërshtimit të hapjes së urës që lidh jugun e veriun e Mitrovicës.

"Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara së bashku me të Zyrës së BE-së në Kosovë u takuam me kryeministrin Kurti sot për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht", tha Hovenier.

Për kundërshtimin e ndërkombëtarëve, kryeministri Kurti nuk pranoi të flas pas takimit, e përgjigjes i iku edhe pasi mori pjesë në diplomimin e gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës. Disa orë më vonë, qëndrimi i tij u shpalos përmes një komunikate për media. U tha se ura duhet të hapet.

“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatë.

Paraprakisht aty është sqaruar se përfaqësuesve diplomatik, kryeministri Kurti ua ka paraqitur planin e Qeverisë për hapjen e urës. Sipas njoftimit, plani përmban disa veprime.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një ditë më parë, nga Bashkimi Evropian, përsëritën qëndrimin se hapja e urës mbi Ibër për qarkullim të automjeteve duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Asnjëherë nuk spekulojmë me skenarë ‘po sikur’. Qëndrimi ynë i përgjithshëm është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët. Dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren të cilët kanë ndikim në njërën ose tjetrën anë, duhet të zgjidhen, diskutohen dhe çohen përpara në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano të enjten.

Një qëndrim të tillë, e kundërshtoi presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se një diskutim i tillë në Bruksel do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në Kosovë.

“Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, shkroi Osmani në Facebook.

Hapja e urës që ndan qytetin e Mitrovicës, në Jug e Veri, ka kohë që është paralajmëruar nga akterë institucioanl në Kosovë. Që atëherë, nga BE-ja, diskutimet për këtë çështje është kërkuar që të shtrohen në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Për hapjen e Urës, më 19 korrik, zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ka deklaruar në emisionin “60 minuta” të KTV-së se nga BE-ja është kërkuar që të organizohet një diskutim me qytetarët lokalë të cilët mund të kenë brenga për hapjen. Sipas Bislimit, në BE ka pasur brengë edhe për qëndrueshmërinë e urës, pasi kanë kaluar vite që nuk është përdorur për qarkullim të veturave.

“Ne kemi autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme që të bëjë inspeksione teknike për të parë se cila është qëndrueshmëria e urës për të mbështetur qarkullimin e veturave. Përfundohen këto procese, është e palogjikshme pastaj që dikush nga BE-ja të thotë jo se mos e hapni urën për arsye se në vet dokumentin, ju merreni,  planin implementues i BE-së për urën në Mitrovicë thotë hapja e urës në Mitrovicë është simbol i normalizimit të raporteve mes qytetarëve shqiptar të Kosovës dhe qytetarëve serbë të Kosovës dhe qytetarëve të komuniteteve të tjera”, ka deklaruar Bislimi.

Ai me tjerash pati “pyetur” se si mund të jetë Bashkimi Evropian kundër një procesi që përbën simbol të normalizimit të raporteve.