Arbëri

BE: Hapja e urës mbi lumin Ibër është çështje e dialogut

Ura e Ibrit

Foto: Driton Paçarada

Zyrtarë të Bashkimit Evropian e kanë përsëritur se hapja eventuale e Urës mbi Lumin Ibër për qarkullim të automjeteve duhet të jetë çështje që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Zyrtarë nga Brukseli që u deklaruan rreth kësaj çështje pas paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës, kanë thënë se shmangia e veprimeve të njëanshme përbën detyrim për palët. Edhe pse zyrtarë qeveritarë e kanë cilësuar absurde ndërlidhjen e heqjes së masave sanksionuese me këtë çështje, “Koha” ka raportuar se ka hezitim për largim të sanksioneve për shkak të Urës mbi Ibër

Bashkimi Evropian ka insistuar se hapja eventuale e Urës mbi Lumin Ibër për qarkullim të automjeteve, duhet të trajtohet vetëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. 

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar të enjten, se çfarëdo hapi që do të ndërmerret dhe që ka ndikim në njërën apo tjetrën palë, duhet të zgjidhet në dialogun e Brrukselit. 

“Asnjëherë nuk spekulojmë me skenarë ‘po sikur’. Qëndrimi ynë i përgjithshëm është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët. Dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren të cilët kanë ndikim në njërën ose tjetrën anë, duhet të zgjidhen, diskutohen dhe çohen përpara në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Stano. 

Edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë ditë më parë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë. 

Sipas tij, ajo gjithashtu mund të komplikojë edhe më tej procesin e normalizimit. 

Kërkesa e Brukselit vjen pas paralajmërimeve në Kosovë se do të konsiderohet hapja e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e veturave. 

“Koha” ka raportuar për hezitimet që ekzistojnë në BE për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës për shkak të paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës mbi Lumin Ibër. 

Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi deklaroi para disa ditësh se hapja e Urës nuk ka asnjë ndërlidhje me zvarritjen e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian. 

“Ajo është e paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Në një rast të tillë të aluduar, do ishte absurde mbajtja e masave apo vendosja e tyre ndaj Kosovës, për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel”, ka thënë Klisman Kadiu. 

BE-ja nuk i hoqi masat edhe pse një gjë të tillë e kishte rekomanduar në raportin e tij përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para më shumë se një muaji. Pas diskutimeve që ishin zhvilluar pas dorëzimit të atij raporti nga përfaqësuesit e vendeve anëtare në Komitetin për Politikë dhe Siguri (PSC) kishte dalë konkludimi për heqjen graduale të masave, pasi nuk kishte pajtim nga vendet anëtare për heqjen e plotë të tyre. Dhe, siç pati raportuar “Koha”, atëherë “kishte mbetur vetëm që në emër të BE-së, Borrelli të lëshojë një komunikatë me të cilën do të njoftojë heqjen e masave”.

Menjëherë vendet anëtare kishin marrë një draft të një deklarate të tillë me afat kohor deri kur do të duhej të deklaroheshin nëse pajtohen apo jo. Dhe në disa versione, disa vende anëtare kishin shprehur rezerva dhe për këtë shkak nuk janë hequr masat as gradualisht.

Shumë diplomatë të vendeve anëtare të BE-së i kanë thënë KOHËS se “nuk e kanë më të qartë se çfarë po ndodh me këtë” dhe se janë në pritje që Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së (EEAS), që merret me këtë çështje, të dalë me deklaratë. Por shërbimi i jashtëm i BE-së është në konsultime me ato vende që kanë rezerva dhe nuk dihet se kur mund të ketë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.   
Çështja e hapjes së Urës së Ibrit është pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian- ajo e vitit 2015 dhe 2016. 

Punët për rivitalizimin e urës mbi Lumin Ibër, të cilat ishin financuar nga BE-ja kanë përfunduar prej vitesh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë për qarkullimin e veturave. 

Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Dhuna nuk ishte ndalur as pas pozicionimit të trupave të NATO-s, ku jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme. 

Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, tashmë hapësira përreth urës është transformuar në shëtitore. Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit, për lëvizjen e lirë të automjeteve. 

Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet me diskutime brenda dialogut. Institucionet në Kosovë e kanë kërkuar dhe mbështetur këtë veprim duke arsyetuar se garanton lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.
 


BE-ja përsërit se vendimi për hapjen e urës së Ibrit merret në kuadër të dialogut

Bashkimi Evropian po insiston se çështja e urës mbi lumin Ibër të jetë çështje që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se çfarëdo hapi që do të ndërmerret dhe që ka ndikim në njërën apo tjetrën palë, duhet të diskutohet dhe zgjidhet në dialog. Ai ka shtuar se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen.

“Çfarëdo hapa që do të ndërmerren që ka ndikim në njërën ose tjetrën palë duhet të diskutohen, zgjidhen dhe merren në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Rihapja e urës është çështje e dialogut dhe çfarëdo vendimi për t’u hapur duhet të bëhet brenda dialogut”, ka ritheksuar ai në një paraqitje me mediat.

Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet me diskutime brenda dialogut. Institucionet në Kosovë e kanë kërkuar dhe mbështetur këtë veprim duke arsyetuar se garanton lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve.

 

Osmani: Ura e Ibrit s’duhet të jetë temë në dialog, Vuçiqi s’ka pse të pyetet

8 muaj më parë / 1 gus 2024 19:07
Vjosa Osmani në konferencë për shtyp

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çështja e urës së Ibrit nuk duhet assesi të jetë temë e dialogut me Serbinë, duke thënë se kjo do të ishte shkelje e sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Osmani i reagoi Bashkimit Evropian që të enjten u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë në Facebook se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

Për presidenten, dialogu i vetëm që duhet të bëhet është brenda Kosovës mes institucioneve dhe partnerëve “që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”.

“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e  kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. 🇽🇰