Arbëri

Minatorët kërkojnë paga në vend të premtimeve

Është mbajtur takimi mes minatorëve të “Trepçës” në Stan Tërg, me përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, pas situatës së krijuar për mos ekzekutim të pagave. Përveç mos ekzekutimit të pagës, minatorët thonë se përballen edhe me mungesë të kushteve të punës. Sipas kryeshefit të Ndërmarrjes, pagat e minatorëve do të ekzekutohen së shpejti, por minatorët thanë se më nuk u besojnë premtimeve

Rënien dhe shkëlqimin e Trepçës, e ka përjetuar Beqir Sahiti që nga viti 1960. 

Ai ishte 19 vjeç kur filloi punën në Njësinë Miniera me Flotacion “Trepça”, në Stan Tërg. Mirëpo, tash e dy muaj, Sahiti dhe kolegët e tij nuk i morën pagat, ndërsa ka 23 ditë që refuzojnë të paraqiten në vendin e tyre të punës.

“Kërkesa jonë e vetme janë pagat. Kushtet janë të tmerrshme. Nuk ka kushte kurrfare, mirëpo nuk jemi duke kërkuar kushte të tjera përpos pagës. Po bëhen dy muaj. Është problem se 90 për qind varemi nga kjo pagë”, ka thënë Sahiti.

Premtimin për ekzekutim të pagave me kohë dhe përmirësim të kushteve të punës, Sahiti e krahason me premtimet që iu dhanë minatorëve në grevën e vitit 1989.

“Atë kohë kërkesat tona janë plotësuar, por më vonë ka dalë që janë mashtrim, por edhe tash janë duke na mashtruar, se edhe grevën e parë na është dhënë nga Qeveria një lloj kontrate që pagat do të ekzekutohen nga data 5 deri në 10 dhe kushtet do të përmirësohen, por që nga atëherë nuk ka ndodhur asgjë, pra asgjë nuk është përmirësuar”, ka thënë ky minator.

Përveç Sahitit, edhe minatori Fevzi Berisha, bëri thirrje që kërkesat të plotësohen. 

“Ne vazhdimisht po kemi probleme me paga. Kuptohet që gjithkush punon për pagë dhe po shpresojmë që tash na kanë premtuar që do të bëhet një zgjidhje dhe kemi shpresa që do të bëhet një zgjidhje”, ka thënë Berisha.

Për mos ekzekutimin e pagave, minatorët bashkë më Sindikatën e Pavarur të Minatorëve, këtë të martë mbajtën një takim.

Minatori Refik Beqiri, tha se problemi më pagat nuk është i ri.

“Për 1 javë ose 2 bëhet diçka, por 2 muaj pa paga. Prej marsit ka vazhduar ky avaz gjithmonë, ka 10 ditë, ka 20 ditë. Kjo është prej marsit. Kjo nuk është qe dy muaj”, ka thënë ai.

Ekzekutimin e pagave për minatorët e kërkoi edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Januzi.

“Do të shkojmë si minatorë ta kërkojmë pagën, s’jemi duke bërë politikë më, se na kanë mbet fëmijët pa bukë”, ka thënë Januzi.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe drejtori i minierës në Stan Tërg, Shyqeri Sadiku, i cili kërkoi nga minatorët t’i kthehen punës.

“Unë ju kisha sugjeruar dhe ju kisha thënë që të dilni nga kjo situatë. E vetmja rrugë është kjo”, ka thënë Sadiku.

Mirëpo, kjo është kundërshtuar nga minatorët.

“Le te dinë këta prej sot, a jeni për me hi a nuk jeni? Jo, u krye”, është shprehur një nga minatorët.

Me ta u takua edhe kryeshefi i Ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti.

Ai u premtoi se do t’u bëhet zgjidhje.

“Si menaxhment e kemi bërë të pamundurën për me dalë prej situatës në të cilën jemi. Askujt nuk i konvenon kjo situatë sepse sot jemi në ditën e 23-të, mesatarisht me 250 tonë xehe është dashur me dalë mbi 9 mijë tonë xehe, e që kur i konverton në para, atëherë pagat tona i kishim kryer sot”, është shprehur Kurti.

Për kërkesat e minatorëve, është paraparë të mbahet një takim mes minatorëve, Sindikatës dhe bordit të “Trepçës”.

Për shkakun e mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. E në tetorin e vitit të shkuar 10 ditë kanë qëndruar mbyllur në horizontet e “Trepçës”.

Greva e vitit të shkuar është ndaluar pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji.

Në vitin 1989, minatorët e Trepçës, patën hyrë në grevë. Nëpërmjet saj, minatorët kërkuan të drejtat kushtetuese dhe protestuan kundër revokimit të autonomisë së Kosovës të garantuar sipas Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste.

Kultura e punës së minatorëve ka qenë esenciale përbrenda ideologjisë së socializmit jugosllav.

Meqenëse miniera përfaqësonte një dimension të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kur minatorët u përcaktuan për grevë urie, jeta ekonomike gati se u mbyll në tërësi.

Në grevë atë kohë ishin 1 mijë e 300 minatorë të cilët për qëllim kishin mbrojtjen e autonomisë së Kosovës.