Arbëri

Osmani: Duhet kërkuar përgjegjësi për mosngritjen e aktakuzës ndaj Radoiçiqit

Presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar institucionet e drejtësisë për mosngritjen e aktakuzës ndaj Milan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë. Në një konferencë për media, Osmani ka folur edhe për rastin e Faton Hajrizit, për artikullin e RTK-së me akuzat për dy portale, si dhe për shqetësimet e ngritura pas ndryshimeve në Ligjin për KPM-në

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se e ka të vështirë ta kuptojë pse institucionet e drejtësisë ende nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj përgjegjësve për sulmin e grupit paraushtarak në Banjskë, i kryer shtatorin e vjetëm.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se duhet të veprohet më shpejt në këtë drejtim, për hir të mbrojtjes së sigurisë nacionale.

“Mos të ngrihet aktakuzë për dikë që ka kryer aktin më të rëndë ndaj Republikës së Kosovës në këto 25 vjet është befasi tepër e madhe dhe mendoj që të gjithë ne duhet të kërkojmë përgjegjësi çdo ditë pse nuk po ngrihet aktakuza”, ka thënë presidentja Osmani.

Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë, ndonëse përgjegjësinë për organizimin e grupit që kreu sulmin e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili ndodhet në Serbi.

Presidentja ka folur edhe të arratisurin nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi, për të cilin autoritetet serbe thanë se e vranë rreth dy ditë pasi ai qëlloi për vdekje një polic serb.

Osmani tha se Serbia po krijon pengesa për kthimin e trupit të tij në Kosovë.

“Ju siguroj që të gjitha përpjekjet janë duke u bërë. Thjesht kemi të bëjmë me një shtet fashist që edhe në raste të tilla tentojnë që të bëjnë çmos që të shkaktojnë pengesa”, ka thënë Osmani.

Presidentja është pyetur edhe për mungesë reagimi, pasi televizioni publik transmetoi një raport të një mediumi boshnjak, i cili pa ofruar fakte, akuzoi dy portale të Kosovës si të lidhura me Serbinë.

“Me reagu unë sa herë që RTK-ja ka publiku, ta zëmë artikuj, kur mu më patën shpallë në heshtje zgjedhore bashkëpunëtore të Putinit… S’po më duket se ka pasë reagim nga të tjerët. Si parim, si presidente e Republikës refuzoj çdo lloj gjuhe ose akuze e cila në emër të lirisë së shprehjes e vendos në rrezik jetën e tjetrit”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani e ka arsyetuar edhe mosreagimin për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Ajo ka thënë se nuk ka pranuar kërkesë për takim nga grupet e interesit që janë prekur nga ky ligj, përfshirë edhe AGK-në.