Arbëri

Baraliu: Partitë s’kanë më çfarë të premtojnë në fushatë

Mazllum Baraliu

Mazllam Baraliu, profesor i çështjeve juridike, ka deklaruar se ka përpjekje serioze që në zgjedhjet e ardhshme të ketë front të përbashkët opozitar, por që sipas tij, partitë politike “nuk kanë çka të thonë në fushatë”.

Sipas Baraliut, qeveritë e kaluara, por edhe qeverisja aktuale “s’kanë arritur të bindin popullin për qeverisje të mirë”.

“Ka përpjekje serioze për front të përbashkët opozitar, nuk kanë çka thonë shumë sepse jemi mësuar nga qeverisjet e kaluara. E vërteta është se jemi mësuar me ato, kemi përjetuar gabime e dështime. Edhe ky koalicion qe 4 vjet, që po bën historinë pasi është pozitive për Kosovën kur një legjislacion shkon deri në mbarim mandati, as këta s’kanë arritur të bindin popullin se dikush është pjekur dhe ka vullnetin për të mbrojtur shtetin që të qeveriset mirë. Janë bërë lëshime që janë të pariparueshme”, ka deklaruar Baraliu të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.

Njohësi i Kushtetutës ka thënë subjektet politike në Kosovë nuk mbajnë kontakte të rregullta me qytetarët, por këto tentojnë t’i bëjnë para fushatave “duke u përpjekur të riparojnë mungesën e komunikimit”.

“Subjektet tona politike nuk mbajnë rregullisht kontakte me votuesit e tyre, as strukturat politike as deputetët. Para fushatave, përpiqen të riparojnë mungesën e komunikimit permanent dhe të bëjnë punën e tyre, por kishim dallime. Dikush nga opozita kërkonte mocion mosbesimi ndaj Qeverisë e s’e përkrahnin të tjerët, e një palë tjetër kishte kërkesë për shpërbërje të parlamentit. Kemi ardhur në afate të rregullta dhe s’ka si ndryshe, subjektet mund të propozojnë diçka, të mohojnë. Në shkurt, ka një fleksibilitet, thuhet në ligj 40 ditë para përfundimi të mandatit, ë këtë interval kohor të mbaheshin zgjedhjet”, ka theksuar Baraliu.

Ai shtoi se me Ligjin e ri për Zgjedhje parashihet që në lista, votuesit të kenë mundësi t’i votojnë 10 kandidatë për deputetë.

“Tani mund të votohen 10 emra, kjo s’ka asnjë analizë, është bërë për interesa të subjekteve politike. Në vend që t’i fitojë 5 vota, subjekti i fiton 10 vota (nga një votues). Kjo është orientuar që të fitojë sa më shumë”, ka shtuar ai.