Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se deputetët e partisë në pushtet do ta bllokojnë hetimin për aferën e keqpërdorimit të parave për blerjen e teksteve shkollore.
Ai ka shkruar se ata e kanë zëvendësuar kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Komisionit Hetimor për këtë aferë, “nga radhët e opozitës e të cilët i ka zgjedhur Kuvendi”.
“Në panikun e gjetjeve të deritanishme në Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e aferës së keqpërdorimit të miliona eurove në emër të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, deputetët e shumicës, anëtarë të këtij komisioni kanë vendosur që ta minojnë dhe bllokojnë hetimin përfundimtar të kësaj afere, duke u mbledhur sot në mënyrë të paligjshme, e duke e zëvendësuar kryetarin dhe zëvendës-kryetarin e këtij komisioni nga radhët e opozitës - e të cilët - i ka zgjedhur Kuvendi. Si grup parlamentar iniciues të këtij Komisioni Hetimor, vendimin e sotëm të deputetëve të shumicës parlamentare e konsiderojmë jo vetëm të paligjshëm, por atak të drejtpërdrejtë mbi mandatin e deputetit si përfaqësues i popullit, vendim i cili, në të njëjtën kohë është edhe një provë shtesë se pse pushteti i frikësohet hetimit të kësaj afere dhe pse ka vendosur që në mes të procesit t’a bllokojnë këtë komision”, thuhet në reagimin e Tahirit.
Kryetar i këtij komisioni është deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, e Tahiri u shpreh se me ligjin për Hetimin Parlamentar, këto dy pozita u takojnë partive opozitare.
“Për këtë vendim të paligjshëm e të turpshëm, do të kërkojmë sqarime edhe nga Kryetari i Kuvendit, para se ti drejtohemi Prokurorisë Speciale për të hetuar këtë aferë korruptive, që ka për kryeprotagoniste Ministren e Arsimit Arbërie Nagavci”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
Ndaj kësaj ka reaguar Dreshaj, duke thënë se VV-ja ka tentuar të bëjë puç ndaj Komisionit ku ai e kryeson.
“Në përpjekje për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore, deputetët e Vetëvendosjes sot paskan vendosur të bëjnë puç në Komisionin Hetimor që e kryesoj unë. Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë. Kjo nuk është parë e nuk është dëgjuar ndonjëherë. Po Komisionet hetimore në praktikat parlamentare në gjithë botën i udhëheq Opozita. Dyshoj të jetë ndryshe edhe në Kore të Veriut. Madje, deputetët e VV-së kanë nxjerrur nga mbledhja edhe stafin teknik të Kuvendit që kanë tërhequr vërejtjen për shkeljen e Ligjit dhe të Rregullores për mbarëvajtjen e punës në komisionet hetimore parlamentare”, ka shkruar deputeti i AAK-së në Facebook.
Ai bëri të ditur se i është drejtuar edhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca “të shohë nëse ai ka gjë në dorë e ta ndalë këtë maskaradë të VV-së”.