Arbëri

Me fatura false dyshohet se u tentua të keqpërdorej buxheti për shërim jashtë shtetit

Një dyshim i madh është ngritur për abuzim me buxhetin e dedikuar për të sëmurët në gjendje të rëndë. Disa spitale jashtë vendit mohuan faturat e prezantuara nga pacientët në Fondin e Sigurimit Shëndetësor. E të tilla fatura që dyshohet se janë false, figurojnë të jenë lëshuar nga spitale të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe të Kinës.

Një hetim i ri nisur nga Prokuroria e Shtetit e i sinjalizuar nga Ministria e Shëndetësisë vë në pah dyshimet se në Fondin e Sigurimit Shëndetësor janë prezantuar fatura të falsifikuara, me të cilat u arsyetuan shërbime që nuk janë ofruar asnjëherë në spitalet jashtë vendit.

Në dokumentet e hetuesisë të cilat i ka siguruar KOHA, tregohet se disa spitale ia kanë mohuar Fondit të Sigurimit Shëndetësor se kanë lëshuar fatura të tilla.

Një profaturë që dyshohet se është false, e që prezantohet si e spitalit “Acibadem Sistina”, mban datën 22 shkurt të vitit 2023. Spitali ia ka mohuar Ministrisë se e ka lëshuar këtë dokument, që përmban vlerën mbi 30 mijë euro.

“Profatura që na keni bashkëngjitur në email nuk është lëshuar nga klinika jonë. Pacienti emri i të cilit është në pro faturë ka qenë në klinikën tonë një herë në vitin 2020”, u tha nga spitali “Acibadem Sistina”.

E në një rast tjetër, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka kërkuar nga po ky spital që të konfirmojë faturat e profaturat për 11 pacientë. Spitali ka dhënë konfirmimin vetëm për dy sosh.

“Nga të gjitha profaturat që na keni dërguar, ne mund të konfirmojmë që spitali ynë i ka lëshuar vetëm për dy pacientë”, u tha nga “Acibadem Sistina”. 

Vlera financiare e faturave që janë dërguar në këtë spital për konfirmim është rreth gjysmë milioni euro.

Në Fondin e Sigurimit Shëndetësor janë dorëzuar edhe profaturat e tre pacientëve që kanë thënë se kanë marrë trajtim shëndetësor në klinikën KBC Zagreb.

Por, në klinikë kanë thënë se faturat janë të rreme.

“Në përputhje me kërkesën tuaj jua konfirmojmë që për të tre pacientët faturat janë jokorrekte-false”, u tha nga “KBC Zagreb”. 

Dy prej këtyre faturave janë të vitit 2024 e njëra e 2023-s. Vlera e të triave kalon shumën prej 110 mijë eurosh.

E fatura të dyshimta që kanë shkuar në Fond ka edhe nga Kina, Gjermania, Turqia e shtetet të tjera. Se kush i ka lëshuar, ende nuk dihet, e po ashtu nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje me spitalet të cilave u është përdorur emri apo e gjithë skema është falsifikim.

Në Prokurorinë e Shtetit jozyrtarisht kanë konfirmuar që kanë pranuar dosjen nga Ministria e Shëndetësisë dhe se kanë filluar të punojnë në të.

E në dokumentin e hetuesisë thuhet që Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që të hetohet më tutje ky rast, Ministria nuk ka kompetenca të tjera, përveç të identifikojë dyshimet për falsifikim.

“Fondi gjatë fazës së kontrollimit të këtyre profaturave dhe faturave ka identifikuar një set të faturave të cilat sipas të gjitha gjasave, janë të falsifikuara, pasi që institucionet të cilat supozohet se i kanë lëshuar ato nuk kanë konfirmuar autenticitetin e dokumenteve”, thuhet në dokumentin e hetuesisë. 

Pas një hulumtimi në vitin 2022, KOHA në një numër storiesh, raportoi mbi zinxhirin e dobët të kontrollit të faturave, meqë një pjesë e spitaleve nuk i jepnin informata kthyese Fondit, për pacientët, kostoja e trajtimit të të cilëve është mbuluar nga buxheti i shtetit.