Arbëri

PDK-ja kërkon dorëheqjen e ministres Haxhiu dhe intervistimin e saj nga prokuroria

Perparim Gruda

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që të shkarkohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe të intervistohet nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratën e saj për arratisjen e të burgosurve nga burgjet e Kosovës. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shtunën në një postim në Facebook ka thënë se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, përfshirë edhe ajo e Faton Hajrizit, janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit dhe nuk mund të mbetet pa u sqaruar”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media. 

Gruda ka thënë se shërbimi Korrektues i Kosovës, si një agjenci ekzekutive e sigurisë që operon nën Ministrinë e Drejtësisë, është përgjegjës për këto raste.

“Kjo deklaratë, për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës përbën një akt dorëzimi të ministres së drejtësisë përballë detyrimeve të saj ndaj kushtetutës, ligjit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo është një situatë e paprecedent që tregon inkompetencën, papërgjegjshmërinë dhe dështimin e ministres Haxhiu”, ka thënë Gruda.

Më tej, ai ka thënë se është fatkeqësi që deri më tash nuk ka ardhur asnjë përgjigje, asnjë masë dhe asnjë përgjegjësi nga Ministria e Drejtësisë.

“Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një Ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarime disfatiste që dëmtojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Gruda.

Gruda ka kërkuar menjëherë dorëheqjen e ministres Haxhiu.

“Pas dështimeve të njëpasnjëshme në të gjitha nismat për drejtësi, në veting, në reformimin e këshillit prokurorial, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, hartimin e shumë ligjeve në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe së fundmi arratisjet e të burgosurve dhe deklaratat e saj skandaloze, në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu, si një akt të domosdoshëm për të hapur rrugën për kthimin e sigurisë në burgjet e Kosovës dhe për reformat shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Gruda.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një drejtim të ri në fushën e drejtësisë që do t'u garantojë sigurinë qytetarëve, respektimin e ligjit dhe kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.