Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës, dyshohet se qëndron pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në Lloznicë të Serbisë. Deri më tani janë arrestuar tre persona. Zyrtarët serbë thanë se bëhet fjalë për sulm të planifikuar nga autoritetet e Kosovës, e kryeministri Albin Kurti e cilësoi incident, për të cilin bëri thirrje të mos politizohet
Një polic i Serbisë është vrarë mëngjesin e së enjtes në Lloznicë të këtij shteti, dhe dyshohet se në të ka shtënë me armë zjarri Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës.
Nikola Kërsmanoviq, 34-vjeçari, dyshohet se është qëlluar me armë, ndërsa kolegu i tij, Iliq Vjekoslav, është plagosur rëndë, pasi kanë ndaluar një veturë në qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnjë-Hercegovinën.
Ministria e Brendshme e Serbisë lëshoi një njoftim, sipas të cilit në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Për pasojë, fillimisht u dyshua ta ketë kryer veprën ai. Por gjatë paraqitjes në disa media këtë e ka mohuar Artan Hajrizi dhe ka dëshmuar se ndodhet në Gjermani. Sipas versionit të tij, pas arratisë Faton Hajrizi, të cilin e ka vëlla, ka shkuar në banesë tek ai dhe ia ka vjedhur dokumentet, disa nga të cilat janë gjetur në vendin ku ka ndodhur vrasja.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, s’e përjashtoi mundësinë se Faton Hajrizi përdori dokumente të rreme, por mohoi pretendimet e vëllait të tij se ai ka qenë në Gjermani.
“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni ia ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani? Kjo tregon qartë se është rënë dakord më herët dhe se është një akt i organizuar”, ka thënë Daçiq.
Deri më tani janë arrestuar tre persona: Në Serbi i janë vënë prangat ngasësit të taksisë në të cilën ndodhej i dyshuari për vrasjen, e në Republikën Serbe të Bosnjës, ku dyshohet se është arratisur Hajrizi, dy të tjerëve që dyshohet se e kanë aranzhuar udhëtimin e tij për në një vend të tretë.
“Në Bijelinë, pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska, është arrestuar R.Z. (1985), i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë. Gruaja e tij R.I. u arrestua gjithashtu si bashkëpunëtore”, ka thënë Daçiq.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit “Mercedes” me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikola Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekoslav Iliq në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Pas ngjarjes, forca të shumta policore të Serbisë janë parë nëpër rrugët e Lloznicës, ndërsa është mobilizuar edhe xhandarmëria. Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. Po kështu, në kërkim janë vënë edhe autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës, ku dyshohet se është arratisur Hajrizi.
Politizimi i vrasjes
Autoritetet e Serbisë e kanë fajësuar Kosovën për ngjarjen.
Daçiq tha se ka dyshime që rasti ka qenë i planifikuar nga strukturat e Kosovës. E theksoi këtë, gjatë kohës sa autoritetet në Beograd besonin se akti është kryer nga vëllai i Faton Hajrizit që ndodhet në Gjermani, e dokumente të të cilit u gjetën në vendngjarje.
“Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret Prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, ka thënë ai. “Është kontaktuar edhe policia gjermane. Vëllai i tij është arratisur nga burgu në korrik. Ai vrau një ushtar rus. Mendoj se nuk mund të jetë rastësisht, që akti të jetë i organizuar”.
Akuzën e ka përsëritur edhe më vonë.
“Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një polici dhe për këtë kërkojmë dhe presim bashkëpunim të plotë me policinë gjermane dhe me EULEX-in dhe jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, ka thënë Daçiq.
E, kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Serbisë të mos e politizojë vrasjen, dhe tha se autoritetet janë duke marrë informacione.
“Organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë kryeministri Kurti.
Faton Hajrizi, i cili për të nëntën herë është arratisur nga burgjet në Kosovë, gati gjatë gjithë pasluftës ka qenë në burg. Fillimisht ai është dënuar për vrasjen e një ushtari rus në Skënderaj, e më pas edhe për një numër tentim vrasjesh e grabitjesh të armatosura. Gjatë kohës prej që ndodhet në arrati, ka pasur disa paraqitje publike në rrjete sociale, gjatë të cilave ka akuzuar, por edhe përqeshur qeveritarët e tashëm.
Apeli për kosovarët
Pas rastit të së enjtes, institucionet shtetërore të Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë kalimit nëpër Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka bërë të ditur se do ta informojnë publikun për zhvillimet.
Në reagim, vrasja është kualifikuar si incident.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një incident në magjistralen afër Lloznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi, dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Autoritetet shtetërore të Serbisë, sipas mediave serbe, kanë rritur numrin e forcave policore nëpër rrugë. Është mobilizuar edhe xhandarmeria, derisa në rrugë të ndryshme janë vendosur edhe postblloqe me qëllim të lokalizimit të personit të dyshuar.