Menaxherët e kontratës “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” kanë dhënë dorëheqje para një muaji e gjysmë duke e lënë këtë kontratë pa asnjë lloj mbikëqyrjeje. Në Komunën e Prishtinës thanë se dorëheqja u bë për pasojë të mbingarkesës së tyre me punë, por nuk i ofroi qasje KOHËS në raportet e punëve të kryera e të pranuara nga këta menaxherë. E Agjencia për Privatësi i ka dalë në “krah” Komunës së Prishtinës, duke mos e trajtuar ankesën e KOHËS as pas 57 ditësh
Kontrata më e përfolur e Komunës së Prishtinës, ajo e “Shërbimit të Arkitektit të Qytetit” me vlerë 12 milionë euro, ka mbetur pa menaxherë qe 1 muaj e gjysmë.
Nga fillimi i qershorit zyrtarët përgjegjës për ta menaxhuar kontratën kanë dhënë dorëheqje.
Muajin e kaluar Prokuroria e Shtetit njoftoi se ka nisur hetime në lidhje me këtë rast, që korrespondon edhe me kohën e dorëheqjes së menaxherëve.
Komuna e Prishtinës i ka arsyetuar këto dorëheqje me mbingarkesën e zyrtarëve.
“Menaxheri dhe mbikëqyrësit e kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë kërkuar të lirohen nga kjo përgjegjësi shtesë që kanë pasur për shkak të mbingarkesës në punë. Dy prej tyre janë shefa të sektorëve me shumë përgjegjësi dhe detyra në sektorët ligjorë dhe të planifikimit, pozita këto me ngarkesë të madhe. Për më tepër, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka të angazhuar dhjetëra arkitektë e staf dhe është duke punuar paralelisht në rreth 35 projekte që e ka bërë të pamundur për tre zyrtarët në fjalë të mbikëqyrin punën e këtij shërbimi”, thuhet në përgjigje.
KOHA vazhdimisht ka raportuar për ketë kontratë.
Një nga çështjet për të cilat ka kërkuar informata është raporti i punëve të kryera e të pranuara nga menaxherët.
Siç e ka faktuar KOHA, pagesat janë bërë edhe pa u përfunduar punët, që është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.
Megjithatë, këto dokumente Komuna e Prishtinës nuk ia ka ofruar KOHËS.
Për më tepër, edhe Agjencia për Privatësi ka shkelur afatet ligjore për trajtimin e ankesës për mosdhënie të informatave në lidhje me ketë kontratë.
KOHA ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Privatësi më 21 maj kundër Komunës së Prishtinës.
Ligjërisht kjo ankesë do të duhej të merrte përgjigje më 21 qershor.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kur është pyetur ky institucion se pse nuk e ka trajtuar ende ankesën, redaksia është kontaktuar përmes telefonit dhe i është thënë që “të përsëritet kërkesa dhe menjëherë do të fillojë trajtimi”. KOHA ka refuzuar përsëritjen e kërkesës.
Megjithatë, pas kësaj, me 55 ditë vonesë, ka filluar trajtimi i ankesës. Në emalin konfirmues, ky institucion tha se ka mungesë të punëtorëve, andaj nuk ka mundësi që t’i shqyrtojë brenda afatit ligjor kërkesat.
“Ju njoftoj se ankesa juaj ndaj Komunës së Prishtinës është në fazën e shqyrtimit. Arsye është numri i madh i ankesave të paraqitura në Agjencinë për Informim dhe Privatësi nga janari deri më tani dhe rrjedhimisht në mungesë të burimeve njerëzore, përkatësisht zyrtarëve përgjegjës në Departamentin e Qasjes në Dokumente Publike, jo të gjitha ankesat kemi të mundur t’i trajtonim brenda afatit 30- ditor. Gjithsesi ne ju kërkojmë ndjesë për vonesën dhe ju lutemi për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në përgjigje.
Rreth 2.3 milionë euro ka paguar Komuna e Prishtinës vitin e kaluar për shërbimin “Arkitekti i Qytetit”, që ofrohet nga një grup operatorësh ekonomikë. Kontrata ka vlerën 12 milionë euro. E, burime të KOHËS thonë se në ofertën për kontratën 12-milionëshe që e dha Komuna u prezantua edhe projekti ku punoi kompania e kryetarit Përparim Rama.