Pretendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) se me Ligjin e ri për këtë institucion po synohet bllokimi i sistemit prokurorial, iu ka reaguar Ministria e Drejtësisë. Ajo ka thënë se KPK-ja vazhdon me qasje destruktive, me veprime penguese dhe me tendenca bllokuese.
Sipas MD-së, KPK-ja po përpiqet të ndërhyjë në kompetencat e Qeverisë dhe të Kuvendit, duke shtuar se reagimi i këtij institucioni nuk përmban argumente se Ligji cenon pavarësinë. Në reagim u tha se ky institucion ka thënë të pavërteta.
“Reagimi përveçse përmban të pavërteta e pasaktësi faktike, gjithashtu bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial. Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi”, thuhet në reagimin e ministrisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Ministria e Drejtësisë ka thënë në Facebook se KPK-ja duhet të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese.
“Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë i bën thirrje KPK-së të fokusohet në zbatimin e këtyre elementeve që janë në të mirën e vet sistemit dhe të cilën reformë publiku, së bashku me reformat tjera e pret nga institucionet të cilat janë të mandatuara për të garantuar sundim të ligjit, ofruar drejtësi e mbrojtur të drejtat e njeriut”, thuhet tutje.