Arbëri

Haradinaj për “Contour Globalin”: Kurti dhe klika e tij janë kriminelë

Ramush Haradinaj, AAK

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe klika e tij që kanë kundërshtuar kompaninë amerikane “Contour Global” janë kriminelë.

Në një konferencë për media të enjten, Haradinaj i është përgjigjur kritikave të Kurtit i cili në mbledhjen e djeshme të Qeverisë fajësoi kryetarin e AAK-së për nënshkrimin e kontratës me “Contour Globalin” e për të cilën Kosova do të paguajë 21 milionë euro pasi humbi arbitrazhin.

Haradinaj ka këmbëngulur se investimi i “Contour Globalit” do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike.

“Investimi i ‘Contour Globalit’ do të kishte qenë investimi më i madh në Kosovë. Termocentrali ‘Kosova e Re’ do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi energjetike. Ky projekt do ta bënte Kosovën të pandikueshme nga lufta në Ukrainë sa i përket çmimit të energjisë. Çmimi i megavatit të prodhuar në Kosovë do të ishte shumë më i lirë. Madje do të shisnim energji. Kosova vazhdon të mbetet e varur nga GEN-i [kompania serbe për eksportimin e energjisë me të cilën u pretendua se kishte lidhje ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj]. Kriminelët kthehet në vendin e krimit shpesh sepse nuk ndëshkohen. Kurti dhe klika e tij që e kanë kundërshtuar ‘Contour Globalin’ janë kriminelë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Kurti të mërkurën ka thënë se projekti i “Contour Globalit” nuk ka qenë i ideuar që të realizohet e as që të jetë i dobishëm për Kosovën.

Në fund të vitit 2017, Qeveria e ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, i cili do të kushtonte 1.3 miliardë euro. Vetëvendosja ka qenë kundër kushteve të kontratës. Dhe, me ta marrë pushtetin kjo parti, “Contour Global” qe tërhequr.

Punimet për ndërtimin e termocentralit ishte paraparë të fillonin më 2020, ndërsa ai të vihej në punë më 2023. Por, në mars të vitit 2020, “Contour Global” njoftoi për tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsye të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, atëkohë në opozitë, ishte shprehur kundër ndërtimit.