Të hënën, një ditë pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, është lajmëruar përmes rrjeteve sociale Faton Hajrizi. Ai është ankuar për kushte të rënda në qendër. Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me këtë arratisje, ndërkohë udhëheqësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka premtuar kapjen e tij shumë shpejtë. Ndërkohë, juristi Anton Nrecaj ka thënë se nga kjo histori e arratisjesh të shpeshta është dashur të marrin mësim institucionet
Një ditë pasi u arratis për herë të nëntë nga burgu, Faton Hajrizi publikoi të hënën një video në rrjetin social TikTok, ku u ankua për kushtet në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, të cilat sipas tij, e kanë shtyrë të arratiset.
Ai në videon 13-minutëshe ankohet edhe se nuk i është mundësuar që një pjesë të dënimit ta kryejë në lirim me kusht. Po ashtu, sipas tij, zyrtarët e kësaj qendre nuk janë sjellë mirë me të.
“Personalisht, kam vërejtje të madhe për burgun e Smrekonicës i tipit të hapur, aty unë kam qëndruar një muaj e gjysmë, aty, shkurt dhe shqip e them, kurrë nuk jam ngi ushqim aty, kurrë barku im nuk është ngi ushqim”, ka thënë ai në video.
Hajrizi ka thënë se do të kthehet ta vuajë dënimin, sapo ta shohë vetë ai të arsyeshme.
“Këto më kanë shtyrë që të marrë vendim e të dal përkohësisht në liri. Unë jam i sigurt që pjesën e mbetur, edhe pse nuk pajtohem me këtë drejtësi, do të kthehem dhe do ta mbaj. Kur?, e di unë kur. Kur e shoh që ka ligj, rend dhe piqen të gjitha kushtet që unë ta mbaj burgun”, ka deklaruar ai.
E Shërbimi Korrektues i Kosovës nëpërmjet një komunikate, ka njoftuar për suspendimin e dy zyrtarëve korrektues.
Institucioni që menaxhon me burgjet ka njoftuar se i arratisuri, për shkak të sjelljeve të mira ka përfituar edhe beneficione.
“Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Juristi Anton Nrecaj, ka vlerësuar se nga kjo histori e arratisjesh të shpeshta është dashur të marrin mësim institucionet.
“Barra e përgjegjësisë bie në Ministrinë e Drejtësisë, ata duhet ta mendojnë mirë se si ti avancojnë zyrtarët nëpër burgje të cilët e kanë përgjegjësinë për menaxhimin e burgjeve. Fatkeqësisht, kohëve të fundit kemi shumë raste ku të burgosurit arratisen nga burgu dhe në momentin kur arratiset ai është i lirë dhe mund të kryejë sërish vepra penale”, ka thënë Nrecaj.
KOHA i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë rast, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
Por një dikaster tjetër qeveritar, ai i punëve të Brendshme, ka paralajmëruar kapjen e shpejtë të Hajrizit.
Ai në një konferencë për media në Qafë Morinë, të hënën ka paralajmëruar se kapja e Hajrizit, është çështje orësh apo ditësh.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë... Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.
Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.
Vuajtjes së dënimit Hajrizi ka tentuar t’i shmanget plot nëntë herë.
Ai ka arritur të arratiset nga burgu i Mitrovicës, Prishtinës, Prizrenit, Dubravës, po ashtu ka ikur edhe nga kampi i ushtrisë amerikane “Bondsteel”.
Ai përpos për vrasje e arratisje, është i dënuar edhe për plagosjen e dy zyrtarëve policorë dhe plaçkitjen e një argjendarie ne Drenas. Për të gjitha këto vepra ai është i dënuar me 27 vjet heqje lirie.