(E përditësuar 15:40) - Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, i ka reaguar kryetarit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, i cili sot në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për rritje prej rreth 30 për qind të pagave në sektorin publik prejse Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet.
Mustafa ka theksuar se edhe nëse ka rritje të vogël, nuk e kompenson rritjen e çmimeve. I ka kërkuar nga deputeti i VV-së të flasë edhe për pagat në sektorin privat.
Sipas Mustafës, të dhënat tregojnë që Kosova ka nivelin më të ulët të pagave në rajon.
“Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, paska folur për rritjen e pagave që kinse paska ndodhur gjatë kësaj qeverie. Ajo që deputeti Muja po e quan rritje të pagave në sektorin publik, nuk ka ka arritur as ta kompensojë rritjen e çmimeve e mos të flasim për përmirësim të pozitës financiare të shërbyesit publik. Madje, paradoksalisht, për disa kategori pagat u zvogëluan në kohën e rritjes së çmimeve. Në anën tjetër, Deputeti do të ishte mirë të na tregoj diçka rreth pagave në sektorin privat, të cilat kanë stagnuar si pasojë e bllokadës që ka pësuar ky sektor gjatë kësaj qeverie. Përndryshe, të dhënat e fundit qe janë në dispozicion e radhitin Kosovën në nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon”, ka shkruar Mustafa.
Bajrami i reagon Mujës: Paga u është rritur kryeministrit e ministrave, jo qytetarëve
(14:01) - Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar homologut të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke thënë se paga i është rritur kryeministrit, ministrave, këshilltarëve, asistentëve e shoferëve të tyre, por jo qytetarëve.
Të shtunën, në një prononcim për EkonomiaOnline, Muja u shpreh se paga mesatare është rritur në 780 euro gjatë këtij viti.
Kjo po konsiderohet nga deputetja e LDK-së si “gënjeshtër e radhës nga pushteti”.
“Kjo është farsë si vet qenia e partisë në pushtet. Unë pyes qytetarët sa prej jush keni pasë ngritje page 200 euro nga viti 2019 në 2024? Pothuaj asnjë. Sa prej jush paguani çmime me të larta për së paku 50% për secilin artikull të konsumit të përditshëm? Të gjithë. Paga në tri vitet e fundit i është rritë Kryeministrit nga 1 mijë e 450 euro në 2 mijë e 280 euro, ministrave nga 1 mijë e 150 në 1 mijë e 750 euro, këshilltarëve nga 500 euro në rreth 1000 euro, asistentëve dhe shoferëve të tyre. Paga i është shumëfishuar Gani Jakupit që është paguar 7 mijë e 500 euro në muaj, Gazmend Begollit i cili për një konsulencë në KEK ka marrë rreth 27 mijë euro, këshilltarit të ministrit të kulturës i cili paguhet 5 mijë e 560 euro në muaj. Ministri i Kulturës përpos që paguan konsulentë me paga super të larta së fundmi pa fije turpi dha qindra mijëra euro për OJQ që i ka themeluar vetë dhe bashkpartiakët e tij”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Sipas deputetes së LDK-së, gjatë kësaj qeverisje u është rritur fitimi disa kompanive që po marrin tenderë pa konkurrencë, por siç thotë ajo, qytetarët po varfërohen.
“Ndërsa fitimi u është rritë 900 kompanive që pa konkurrencë marrin tenderë sekret, POR qytetarët janë varfëruar, këtë e thonë raportet ndërkombëtare, këtë e thonë qytetarët që në baza ditore përballën me ushqim të me shtrenjtë, derivate me të shtrenjta, çmim të rrymës të dyfishuar e paga të zhvlerësuara nga inflacioni”, ka shkruar tutje ish-ministrja e Financave.
Bajrami ka thënë se qytetarëve paga do t’u rritet vetëm me qeverisjen e LDK-së.
“Programi 'Rruga e Re' është alternative e vetme”, shkruhet në postimin e saj.