Arbëri

Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Pamje nga takimi trepalësh në Bruksel

Pamje nga takimi trepalësh në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë takuar sot në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

9 muaj më parë / 2 kor 2024 22:10
Bislimi

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia ishte e interesuar për vetëm një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi ka bërë të ditur se deri më 18 korrik do të dërgojnë komente me shkrim mbi marrëveshjen bazike, aty ku zëvendëskryeministri i Kosovës pret që të dëshmohet se Serbia nuk e respekton marrëveshjen. Pas 18 korrikut, Bislimi ka thënë se BE-ja do të bëjë propozim me komentet e palëve.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Por Petkoviqi ishte i interesuar vetëm për një pikë që nënkupton aprovimin e draftstatutit evropian. Pale serbe tha se mund të diskutojmë për pika të tjera pasi të ecet përpara me zbatim të Asociacionit. Ndërsa pala kosovare ka pasur propozime për secilën pikë dhe është e rëndësishme që marrëveshja bazike të pranohet në plotëni. Kemi kërkuar që plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit. Kërkesa e Lajçakut ka qenë që deri më 18 korrik të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, propozimet do të bëhen të njohura edhe për palët dhe kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen”, ka thënë Bislimi pas takimit.

Një tjetër temë e diskutuar në takimin trepalësh ishte edhe marrëveshja për energjinë. Bislimi ka thënë se ka dyshimet që “Elektroseveri” po e shkel marrëveshjes.

“Marrëveshja për energjinë po ec më ngadalë sesa kemi pritur. Ka dyshime për shkelje nga ‘Elektroseveri’. E përdor termin ‘Kosovska Mitrovica’ që është term jokushtetues, përdor kod postar të strukturave paralele. Kemi brenga për mosinkasim të mjaftueshëm, i cili nxjerr probleme të tjera në pagesën e obligimeve. Një sërë problemesh që kemi ngrit për moszbatim të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka thënë se në takim me Lajçakun diskutuan edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, çështje për të cilën tha se u kritikua BE-ja.

“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimit e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiqit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.

Kryenegociatori ka thënë se është diskutuar edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa kanë kërkuar që të hapen edhe dy shtesë gjatë sezones së verës. Për këtë, BE-ja do të përgatit propozim final.

Bislimi s’pret takim të radhës derisa pas pushimeve verore.


Lajçak: U dakorduam për një sërë hapash

Pas takimit ka shkruar edhe emisari BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. 

Ai ka thënë se me Bislimin e Petkoviqin kanë rënë dakord për një sërë hapash. 

“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislmi dhe drejtorin Petar Petkoviq. Ne diskutuam një shumë çështje dhe u dakorduam për një sërë hapash në vazhdim”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social X.

 

 


Petkoviq: Ne këmbëngulën në themelimin e Asociacionit

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se gjatë takimit pala serbe ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por ai ka thënë se Bislimi ka refuzuar që të diskutojë për atë.

"Beogradi ka konfirmuar se është gati të bisedojë për draft-statutin e Bashkësisë së komunave të hartuar nga BE-ja, dhe Bislimi refuzoi ta diskutojë atë, gjë që tregon se Prishtina nuk është e interesuar për formimin e Bashkësisë së komunave dhe për procesin e normalizimit", ka deklaruar Petkoviq, raporton Tanjug.

Përfundon takimi trepalësh

9 muaj më parë / 2 kor 2024 21:19
bislimi lajcak petkovic bruksel dialogu kosove - serbi

Foto-ilustrim: KOHA

Ka përfunduar një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje, ka raportuar korrespodenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj. 

Nis takimi trilateral në Bruksel

9 muaj më parë / 2 kor 2024 19:03
Ilustrim

Ilustrim

Ka nisur takimi i përbashkët mes të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, ka raportuar nga Brukseli korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj.

Lajçaku fillimisht zhvilloi takime ndaras me dy kryenegociatorët.

Nisin takimet në Bruksel

9 muaj më parë / 2 kor 2024 15:19
Takimi në Bruksel / Bislimi, Petkoviq dhe Lajçak

Takimi në Bruksel / Bislimi, Petkoviq dhe Lajçak / Ilustrim

Kanë nisur takimet bilaterale të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Nga BE-ja është paralajmëruar se në agjendë do të jenë diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për rrugën e normalizimit të raporteve. Prej të dyja palëve, nga Bashkimi Evropian presin zbatimin e detyrimeve të dialogut pa vonesa e pa parakushte.

“Si pjesë e diskutimeve, palët do të diskutojnë rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera të dialogut. Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Marrëveshja e vitit të shkuar nuk është zbatuar ende.

Të mërkurën e javës së shkuar Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, pas kushtëzimit të kryeministrit Albin Kurti të takimit me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Përpos dorëzimit të përgjegjësit të sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësve të tjerë, kryeministri Albin Kurti kushtëzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, me të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.