Seancën e së enjtes Kuvendi i Kosovës do ta mbajë në një sallë alternative dhe jo në atë të mbledhjeve plenare. Shkak janë punimet për rregullimin e sistemit të votimit elektronik në sallë, që, sipas Kuvendit, pritet të zgjasë deri në fund të gushtit. Zhvillimi i punimeve plenare në salla të ngushta alternative vlerësohet i vështirë për opozitën.
Për shkak të punimeve në rregullimin e votimit elektronik dhe të pajisjeve të diskutimit në sallën e seancave plenare të Kuvendit, kjo hapësirë do të shfrytëzohet për një kohë si alternativë për mbajtjen e mbledhjeve të deputetëve.
120 ulëset e deputetëve mezi i zë kjo sallë alternative, në të cilën pretendohet të mbahet seanca e së enjtes.
32 pikë të rendit të ditës do të trajtohen në këto kushte jo të zakonshme, pa tavolina e pa pajisje diskutimi në dispozicion.
Qëndrimin e tij, secili nga deputetët do të duhet ta japë nga foltorja e improvizuar.
Kjo do të jetë seanca e parë plenare pas gati 5 javësh pa mbledhje, prej kur kanë nisur punimet për rregullimin e votimit elektronik në sallë.
Nga Kuvendi thonë se punimet për rregullimin e këtyre pajisjeve do të zgjasin deri në fillim të shtatorit.
“Punimet për instalimin e pajisjeve në sallën e seancave të Kuvendit janë duke vijuar sipas planifikimit dhe pritet të përfundojnë para fillimit të sesionit vjeshtor të Kuvendit. Seanca e nesërme do t’i zhvillojë punimet në sallën 506”
Opozita e kritikon pushtetin për keqmenaxhim.
Thonë se rregullimet në sallë është dashur të bëhen në kohën e pushimit të deputetëve.
“Mungojnë mbajtjet e seancave, diskutimet përmbajtjesore në komisione, projektligjet dhe vendimet e drejta në interes të qytetarëve dhe institucioneve të vendit. Kjo Qeveri dhe kjo shumicë e Kuvendit ka ngelur mbrapa edhe në agjendë, por edhe në shtyrjen para të temave dhe projektligjeve në të mirë të qytetarëve, siç ishte paga minimale, rritja e koeficientit, tërheqja e 30% të Trustit, etj.”, tha deputeti i AAK-së Pal Lekaj.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, vlerëson se salla alternative nuk i plotëson të gjitha kushtet për mbajtjen e seancës, por shprehet optimist se agjenda do të përmbushet deri në fund të sesionit.
“Natyrisht që kjo është një pengesë në arritjen e realizimit të plotë të planifikimit legjislativ për këtë sesion pranveror por... Ne besojmë që deri në fund të korrikut, atëherë kur përfundon sesioni pranveror të arrijmë t’i miratojmë pothuajse të gjitha këto ligje që janë në procedurë”, theksoi Batusha.
Prej fillimit të sesionit e deri më tash, gati një muaj deri në përfundim, Kuvendi ka miratuar 26 projektligje, 18 më pak sesa ishin miratuar në sesionin e pranverës të vitit të kaluar.