(12:25) - Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ka thënë se amerikanët nuk janë mësuar të merren me një kryeministër të Kosovës i cili mendon se shteti i tij duhet të trajtohet si krejtësisht i pavarur dhe sovran, duke aluduar në Albin Kurtin.
Sipas Serwerit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mësuar që Kosova të jetë më e “dëgjueshme” dhe siç thotë ai, duhet të jetë më e dëgjueshme ndonjëherë.
“Amerikanët nuk janë mësuar që të merren me Kosovën që udhëhiqet nga një kryeministër që mendon se shteti i tij duhet të trajtohet si krejtësisht i pavarur dhe sovran. Amerikanët janë mësuar që Kosova të jetë më e dëgjueshme dhe kjo ka të bëjë me përfitimet që kanë pasur në të shkuarën. Amerikanëve po iu duhet me shumë kohë që të mësohen me një qëndrim paksa më të ngurtë. Le të mos bëjmë karikatura për sovranitetin. Realitetin është se nganjëherë duhesh të jesh më i dëgjueshëm”, ka thënë Serwer të mërkurën në Prishtinë.
Por Serwer nuk sheh ndonjë arsye që të mos tejkalohen problemet mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
“Nuk e di realitetin, nuk jam duke përcjell ndërveprimet ditore diplomatike.. por mendoj që ka pasur një shpërputhje të qëndrimeve në të shkuarën. Mendoj që këtë problem mund ta tejkalojmë dhe nuk shoh ndonjë arsye pse të mos ta bëjmë këtë”, shtuar ai.
Ai ka deklaruar se qëllimi kryesor i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Serwer: Për Kosovën më mirë Bideni sesa Trumpi
(11:21) - Daniel Serwer, profesor në universitetin “Johns Hopkins”, ka thënë se për Ballkanin dhe Kosovën më mirë do të ishte që në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të rrinte presidenti aktual, Joe Biden, se që të rikthehet ish-presidenti Donald Trump.
Në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, Serweri ka thënë se Bideni ruan integritetin e shteteve, ndërsa Trumpi dallon.
“Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet.E dimë dallimin me Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi poashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, ka thënë Serwer.
Njohësi i çështjeve të Ballkanit nuk sheh gatishmëri për normalizim politik nga Kosova e Serbia. Sipas tij, dialogu teknik ka qenë shumë më produktiv sesa dialogu aktual politik.
“Edhe progresi i mëhershëm është kthyer mbrapa. Është me rëndësi që marrëveshjet të vlejnë për të dyja palët. Lajçak është munduar që të ushtrojë presion mbi Prishtinën për Asociacionin, por pa sukses. Kjo është një befasi se marrëveshja sheh obligime për të dyja palët”, ka thënë ai.
Serwer ka deklaruar se ka ardhur koha që Serbia ta tregojë përkushtimin për rend dhe ligj duke e transferuar Milan Radoiçiqin në Kosovë për t’u dënuar për sulmin në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
Pjesë e panelit ishte edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka thënë se si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë bërë hapa të vegjël për të zbatuar marrëveshjet.
“Jo vetëm që kemi devijuar nga rruga sa i përket bërjes së politikës, tani jemi në një lloj konfrontimi me ndërkombëtarët”, ka thënë ajo.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh skeptik se Serbia do të ndërrojë qëndrimet.
“Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkoj para në këtë proces”, ka thënë Bushati.
LEXO EDHE: