Nuk do të ketë takim trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell si dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimeve dypalëshe ishte paralajmëruar se do të mbahej një takim trepalësh por ai nuk ndodhi.
Për takim me Vuçiqin, Kurti kërkon nënshkrim të Marrëveshjes Bazë e dorëzim të Radoiçiqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të zhvillohet takim bilaterial në Bruksel.
Ai ka deklaruar të mërkurën pas takimit se Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-s.
“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, i cili ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar... Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar para gazetarëve se organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare “përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodhë në rajon”.
Kurti shtoi se ka kërkuar zbatimin në tërësi të marrëveshjeve me Serbinë dhe “tërheqjen e letrave rezervë”.
“...Këto letra janë anësore, janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazike. Do të provohet në fillim të korrikut që të diskutohet për sekuencimin. Ajo çka bërë ne sot është që e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazike...Sulmi është nga mosnënshkrimi i marrëveshjes, nga letra e Bërnabiqit dhe nga mosdorëzimi i Radoiçiqit i cili në Serbi i vazhdon trajnimet për sulme të reja”, ka shtuar ai.
“Marrëveshja Bazike e ka në qendër njohjen de-facto së paku. Ne nuk mund të lejojmë që Marrëveshja Bazike të hidhet në prapavijë duke e bërë çështje urgjente Asociacionin...Nuk e mohojmë trashëgiminë e qeverive të mëhershme por duhet të mbrojmë Marrëveshjen Bazike...”, ka potencuar tutje Kurti.
Borrell: Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh, Kurti paraqiti tri kushte
Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur gatishmëri për të mbajtur takim trepalësh në Bruksel. Sipas tij, Kurti i ka vendosur tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit.
Teksa e ka cituar Kurtin, Borrelli ka thënë se është kërkuar që marrëveshja bazë të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive, të tërhiqet letra e 13 dhjetorit e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe të dorëzohet krimineli Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore të Kosovës.
“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot. Kryeministri Kurti ka dorëzuar tre kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit. Citoj '1. Marrëveshja bazike të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive. 2 Tërheqja e letrës së rezervimit të deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë më datë 13 dhjetor. 3. Dorëzimin i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore kosovare'”, ka thënë ai në konferencën për media pas takimeve dypalëshe.
Borrelli tutje ka shtuar se të dyja palët janë përgjegjëse për mospërmbushjen e asaj për çka janë zotuar.
“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për themelimin e Asociacionit. Draftstatuti evropian që ofron një mënyrë moderne për tu marrë me këtë çështje. Nuk duhet harruar që procesi i normalizimit përparon shpejt nëse të dy palët dakordohen. Ne dhe SHBA-ja nuk mund ta duam më shumë normalizimin e marrëdhënieve sesa Kosova dhe Serbia. Sot patëm një takim tjetër. Diskutimet ishin siç pritej, të vështira si gjithmonë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se para takimit, BE-ja ka prezantuar një propozim të ri për zbatimin për planin që do të udhëzonte planin e implementimit të marrëveshjes, por “kushtëzimi i zbatimit nuk lejonte që diskutimi të fokusohej se si të vazhdohej tutje nga palët, kështu që palët mbeten shumë larg njëra-tjetrës”.
S’ka takim trepalësh në Bruksel
Nuk do të ketë takim trepalësh midis kryeministrit Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, në Bruksel.
Negociatat e së mërkurës kanë përfunduar me dy runde takimesh dypalëshe.
Ende nuk dihet pse një takim midis palëve nuk është realizuar, megjithatë njoftohet se kryeministri Kurti do të deklarohet për media.
Vuçiq: Kurti nuk ishte i gatshëm për takim
Nuk ka pasur takim trepalësh midis kryeministrit Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, në Bruksel.
Negociatat e së mërkurës kanë përfunduar me dy runde takimesh dypalëshe.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve dypalëshe ka thënë se Kurti nuk ka dashur ta takojë.
“Nuk ka pasur takim trepalësh me Kurtin, sepse Kurti nuk ka dashur ose nuk ka guxuar të takohet. U ktheva në takim tre herë, ata më transmetuan mesazhet e tij”, ka thënë Vuçiqi në një deklarim para mediave, raportoi mediumi serb “N1”. “Ai nuk është i gatshëm për takim me mua, kjo ishte përgjigja zyrtare”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se takimi me Borrellin dhe Lajçakun “ka qenhë i suksesshëm” dhe se është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve si dhe situatën në Kosovë.
I pyetur se si do të vazhdojë dialogu, Vuçiqi ka njoftuar se negociatorët Besnik Bisljimi dhe Petar Petkoviq do të takohen të martën ose të mërkurën.
Vuçiq: Borrellit ia theksova që Prishtina s’është në gjendje ta përmbushë marrëveshjen për Asociacionin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar pas rundit të parë të takimeve dypalëshe në Bruksel se i ka thënë shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, që Kosova nuk është në gjendje të përmbushë marrëveshjen për Asiociacionin e komunave me shumicë serbe.
Nëpërmjet një postimin në Instagram pas takimit të zhvilluar në rundin e parë me Borrellin dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Vuçiqi ka thënë se ka theksuar përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdim të dialogut.
“Sot u takova me Borrellin dhe Lajçakun dhe gjatë bisedës theksova përkushtimin e plotë të Beogradit për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen ekskluzivisht paqësore të problemeve. Veçanërisht kam insistuar në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe kam vënë në dukje të gjitha lëvizjet e njëanshme të Albin Kurtit dhe pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe M. E ritheksova përkushtimin dhe vullnetin për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi për të mbrojtur popullin serb dhe për të normalizuar marrëdhëniet dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që e ka nënshkruar 11 vjet më parë, që është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka shkruar Vuçiqi.
Edhe një rund bisedimesh dypalëshe
Në Bruksel po mbahet rundi i dytë i takimeve dypalëshe mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe emisarëve evropianë.
Pas përfundimit të rundit të parë të takimeve dypalëshe ishte paralajmëruar mbajtja e një takimi të përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por një takim i tillë nuk ndodhi, raportoi REL-i.
Paraprakisht, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, takuan ndaras Kurtin dhe më pas Vuçiqin.
Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Nis takimi mes Vuçiqit e zyrtarëve të BE-së
Ka nisur takimi mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e Josep Borrell.
Paraprakisht, me Borrellin e Lajçakun është takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nis takimi Kurti-Borrell
Ka nisur takimi në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Pas takimit me Kurtin Borrell pritet të takohet edhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe pastaj pritet edhe takimi trepalësh.
Borrell para takimit: Do të diskutojmë për hapat konkretë në implementimin e marrëveshjeve
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se në takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë në Bruksel, do të diskutohet për hapat konkretë për implementim të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të vitit të shkuar.
Ai është ankuar se në vitin e shkuar diskutimet shumicën e rasteve kanë qenë për menaxhim krizash. Ka thënë se në dialog nga palët ka pasur mungesë përkushtimi, mungesë përparimi, mungesë implementimi e vullneti për të arritur konsensus.
Ka shprehur shpresën se takimi i sotëm do të sjellë mesazh tjetër.
“Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se si dy palët e shohin të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si duan palët që ta vazhdojnë këtë punë. Për pak muaj do të ketë njerëz tjerë emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë. Shtetet anëtare s’do të ndryshojnë. Zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të ikin. Të gjithë do të presin nga kapacitetet dhe vullnetin e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë të sigurojnë të ardhme më të mirë evropiane për popujt e tyre”, ka thënë ai në një deklaratë para takimit.
Borrelli ka thënë se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së për Ballkanin si dhe se normalizimi është i lidhur ngushtë me rrugën e anëtarësimit në bllok.
“Do të diskutojmë se si do të lëvizim përpara mbi bazën e kësaj marrëveshjeje. Do të diskutojmë për hapat e ardhshëm. Është e qartë që ajo që është dakorduar duhet të implementohet. Marrëveshjet janë baza. Veprimet duhet të pasojnë. Implementimi është kryesor. Do të punojmë për hapat konkretë për këtë implementim, për t’i tejkaluar krizat e përditshme me angazhim të plotë në procesin e normalizimit”, ka përfunduar ai.
Vuçiq: Nuk pres asgjë prej Kurtit, pos drama dhe britma
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pret asgjë nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Vuçiqit, Kurti do të dramatizojë çdo çështje dhe do të bërtasë.
“Pres që ai [Kurti] të dramatizojë dhe të bërtasë, ndërsa unë i them të qetësohet. Pastaj ai do të dalë dhe do të thotë se çfarë ka bërë 'Putini i vogël', asgjë e re. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. A pres konkluzione të mëdha? Jo, nuk pres”, ka deklaruar Vuçiq, raporton "Tanjug".
Kurti e Vuçiq pritet të mbajnë takime të ndara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, e më pas një takim të përbashkët.
BE-ja shpreson që Kurti e Vuçiq të hyjnë në takim me guxim politik
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se shpreson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hyjnë në takimin e sotëm në Bruksel me vizion dhe guxim politik.
Në një postim në Facebook, Lajçaku ka shkruar për përgatitjet për takimin. Ai ka thënë se gjithë javën ia ka dedikuar përgatitjeve. Sipas tij, në vizitat në Kosovë dhe Serbi ka diskutuar për qëllimet e takimit për t’i rishikuar arritjet dhe për t’i planifikuar hapat e ardhshëm, veçanërisht lidhur me implementimin e Marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit.
“Bisedat tona ishin të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme për procesin e normalizimit”, ka thënë ai. “Gjithçka është gati për nesër (v.j. postimi i së martës në mbrëmje), dhe shpresojmë që dy liderët të vijnë me vizion dhe guxim politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shkruar ai.
Takimi i parë pas rastit të Banjskës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen në Bruksel sot (e mërkurë) për herë të parë që nga shtatori i vitit të shkuar dhe për herë të parë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Një ditë më herët, Kurti u shpreh se takimet në dialog do të jenë në funksion të rikapitullimit të procesit trevjeçar e edhe të prezantimit të ideve se si mund të ecet përpara.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur pritje të mëdha nga takimi i parë pas nëntë muajsh. Por, ai ka theksuar se në takime me ndërmjetësit evropianë, e edhe me Vuçiqin, do të shprehen edhe ide për rrugën përpara.
“Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, ka deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit, zgjidhja evropiane për fqinjësi të mirë me Serbinë, është marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër.
“E cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim kemi shkelja sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq nga 13 dhjetori i viti të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra nga mos respektimi nga shkelja e marrëveshjes bazike vijnë problemet në raport me Serbinë”, është shprehur Kurti.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’ia heqin masat Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Para takimit me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.
Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në konfliktin pasues me Policinë u vranë tre sulmues. Pjesa më e madhe e grupit ka ikur në drejtim të Serbisë, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiqi, që gjendet i lirë në Serbi.
Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Që atëherë Borrelli e emisari për dialog, Miroslav Lajçak nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë. Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes. Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.
Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti. Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.
LEXO EDHE: