Arbëri

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në kuadër të procesit të dialogut më 26 qershor, me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Siç ka konfirmuar Qeveria e Kosovës, në fokus kryesor ky takim do ta ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara.

Më herët gjatë ditës, takimin e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por që nuk dha detaje për agjendën e takimit. 

Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.

Kurti dhe Vuçiqi për herë të fundit u takuan më 14 shtator 2023. Takimi pati rezultuar pa përparime në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve. 10 ditë më pas, ndodhi sulmi i Banjskës, ku serbë të armatosur sulmuan policinë duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve pasuese u vranë tre sulmues serbë.

Që atëherë, Perëndimi është përpjekur disa herë të bindë Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar për hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Marrëveshja për të cilën Qeveria ka thënë se do të diskutohet në këtë takim, është dakorduar vitin e kaluar, por s’është nënshkruar. Megjithatë, BE-ja thotë se është ligjërisht e obligueshme.

Marrëveshje parasheh nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Ndërmjetësve, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, iu skadon mandati së shpejti. Josep Borrell do të shërbejë si kreu i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë. Javën e ardhshme do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i tij në këtë post. Ndërkaq, Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet një zëvendësues.