Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Ai pas takimit është deklaruar për media, ku ka thënë se mendon që masat ndaj Kosovës duhet të hiqen.
Megjithatë sipas tij, gjithçka varet nga diskutimet që nesër do të zhvillohen në Komitetin për Politikë dhe Siguri e BE-së për raportin e kryediplomatiti Josep Borrell.
Lajçak për masat ndaj Kosovës: Duhet të hiqen, por gjithçka varet nga diskutimet e nesërme
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka thënë se është diskutuar për normalizimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Derisa ka folur për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Lajçaku ka thënë se kjo do të kuptohet vetëm nesër pas diskutimeve të vendeve anëtare të bllokut, megjithatë ka thënë se qëndrimi i tij është që ato të hiqen.
“Për aq sa di unë, ky raport do të diskutohet nesër në Komitetin për Politikë dhe Siguri dhe kjo varet nga rezultati i diskutimit...E kam bërë të qartë qëndrimin tim për sa i përket masave, që në shtator, kur kam rekomanduar që këto të hiqen. Por siç e thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi, ky është vendim i shteteve anëtare. Qëndrimi im personal është që ato duhet të hiqen”, ka deklaruar Lajçak.
Ai ka thënë se me Bislimin kanë diskutuar për normalizimin e situatës midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë implementimin e saj, kjo është çështja e parë që e kemi diskutuar sot me Bislimin. Aq sa di çështja e masave do të diskutohet nesër në sektorin politik të vendeve anëtare dhe gjithçka do të varet prej këtyre diskutimeve. Nesër do ta kuptoni se çka ka në raport, mua nuk më lejohet të them asgjë sot”, ka shtuar ai.
Gjatë prononcimit të tij ai është pyetur edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, për çka ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian është bërë i ditur edhe më parë që kjo urë duhet të hapet, por në mënyrë që të mos eskalojë situata dhe mos t’i afektojë qytetarët e komunitetit joshumicë.
“Çështja e Urës së Ibrit, hapja e saj duhet të bëhet në mënyrë që të mos eskalohet situata dhe duhet të jetë pjesë e dialogut” është shprehur ai.
Lajçaku më tej ka njoftuar se kjo nuk do të jetë vizita e tij e fundit në Kosovë si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun me Serbinë.
Lajçaku mbërrin në Qeveri
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Nga ora 18:00 ai pritet në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e lëshuar gjatë ditës nga Qeveria.