Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes. Nga Samiti i Paqes për Ukrainën që po mbahet në Zvicër, ka theksuar se paqja ndërlidhet edhe me drejtësinë për viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.
“Siç e dimë nga përvoja e jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjesht paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, tha Osmani.
Presidentja ka shtuar se është koha që të gjitha shtetet të qëndrojnë krah Ukrainës ashtu siç u bë për Kosovën gjatë luftës.
“Njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojmë të gjithë bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë”.
Osmani foli edhe për takimin që pati me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën tha se diskutuan për mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes të dy vendeve, sidomos në fushën e mbrojtjes.