E përditësuar në 14:30 - Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit të zhvilluar të hënën me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, e ka falënderuar atë për rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti ka thënë se populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin e tij për paqe dhe drejtësi.
“Kryeministri shtoi se është i nderuar të mirëpresë Tony Blair sot, ku shtoi se udhëheqja dhe vendosmëria e tij ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotërojnë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në takim thuhet se u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me ç’rast Kurti e njoftoi me progresin e arritur, duke theksuar se Kosova është demokracia më e përparuar e rajonit dhe me rritjen më të madhe ekonomike.
Konjufca: Blair është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blair, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Konjufca në një postim në Facebook ka shkuar se prania e Blairit në Kosovë e përplotëson domethënien e kësaj date të shënuar.
“Mbështetja dhe përpjekja e palodhur e z. Blair dhe Britanisë së Madhe ishin ndër faktorët kyç për të shkuar deri te përfshirja e NATO-s përbrenda dhe përkrah luftës sonë të drejtë e çlirimtare, kundër Serbisë dhe krimeve të saj monstruoze ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria”, ka shkruar Konjufca.
Prishtina nderon Blairin me “Çelësin e Qytetit”
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Balir, është nderuar me “Çelësin e Qytetit”, nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Gjithashtu Blairir në një ceremoni do t’i jepet edhe titullit “Qytetar Nderi i Kryeqytetit”.

Blair: Shumë gjëra pozitive po ndodhin në Kosovë, janë mësim për tërë botën
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se në Kosovë janë duke ndodhur shumë gjëra pozitive, të cilat siç ka thënë, janë mësim për tërë botën.
Në një konferencë për media të hënën bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Blair ka deklaruar se mezi pret që të vijë dita kur Kosova të zë vendin në familjen e Kombeve të Bashkuara.
“Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe tani jam i bindur që duhet t'u rrimë krah njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj. Këtu po ndodhin shuë gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën, dhe pres me padurim që ta pres ditën kur Kosova zë vendin e duhur në familjen e kombeve. Dua edhe njëherë të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës që e kanë ndierë atë kohë, e ndjejnë tani dhe do ta ndjejnë edhe në të ardhmen”, është shprehur Blair.
Pas konferencës, ai do t’u drejtohet deputetëve të Kosovës në Parlament me një fjalim.
Osmani falënderon Blairin: Ju na shpëtuat nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë ka falënderuar ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blait për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.
Ajo ka thënë se Britania e Madhe me në krye Blairin, bashkë me forcat aleate të NATO-s e ka shpëtuar popullin e Kosovës “nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit”.
“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive, citoj ‘kjo është thjeshtë gjëja e duhur për tu bërë’ , fjalë të thëna nga zotëri Blair 25 vjet më parë kur e ftonte botën demokratike t’i bashkëngjiteshin atij, për t’i ndaluar krimet e llahtarshme të regjimit të Millosheviçit në Kosovë. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e vlerave që kanë përcaktuar kapitujt me të lavdishëm të historisë njerëzore”, ka thënë Osmani në konferencën e përbashkët me Blairin, duke shtuar se populli i Kosovës e vlerëson, respekton dhe do ta mbajë në zemër përherë për kontributin që Blair ka dhënë për Kosovën.
“Në vitet 99-ta, roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës dhe hero i lirisë dhe i demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe ... Suksesi i Republikës së Kosovës është dëshmi e angazhimit tuaj atëherë, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe dëshmi se sa i rëndësishëm është partneriteti me aleatët tanë edhe sot dhe sa krucial është që ne të bëjmë hapa përpara”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka thënë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një nga aleatet më të fuqishme të Kosovës.
“Kosova sot është një nga trashëgimitë tuaja më të suksesshme, është një nga mësimet se mbrojta e Paqes, e lirisë, e demokracisë, janë shtyllat e civilizimit dhe janë obligim i secilit në çfarëdo kohe”, është shprehur Osmani.

Osmani pret në takim Blairin
Për nder të 25-vjetori të çlirimit të vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takimi ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair.
Pas këtij takimi, Osmani e Blair mbajnë konferencë për media.
Tony Blair sot në Kosovë
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair sot do të qëndrojë në Kosovë.
Ai do pritet të takojë liderët shtetërorë si dhe të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.
Blair në orën 09:00 do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Blair do të deklarohen për medie.
Në orën 10:10 Blair do të takojë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Pas këtij takimi në orën 10:25 Blait do të marrë pjesë në seancën solemne ku do t’u adresohet deputetëve.
Në 10 e 45 Blair do të takojë edhe kryeministrin e Albin Kurti.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, në 12:30 do të takohet me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Me këtë rast, atij do t’i ndahet “Çelësi i qytetit”.
Ndërkohë që në orën 13:00 mbahet ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Kryeqytetit” për Tony Blair.