Faton Zeka, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka deklaruar se plani rregullues për lagjen “Kalabria” nuk është më i miri, por “më i miri i mundshëm”.
Ai ka deklaruar se me votimin e këtij plani janë kënaqur nevojat e banorëve, duke shtuar se “Partia Demokratike e Kosovës tentoi të bojkotojë zhvillimin e lagjes”.
“Pas një seance maratonike, me grupet e asamblistëve arritëm të bëjmë një plan të hollësishëm dhe ‘Kalabria’ të zhvillohet si lagjet e tjera, pasi ka qenë e bllokuar nga 2005. Për neve është e habitshme si dy subjektet që kanë qenë në pushtet sot kanë dezertuar nga votimi i plani...VV-ja me këtë votim i ka çliruar banorët nga katrahura e edhe i ka ruajtur pronat publike... Kaloi një plan që s’është i miri i, por është më i miri i mundshëm”, ka thënë Zeka të hënën në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, VV-ja e ka prioritet ruajtjen e pronave publike dhe “Kalabria” do të mund të zhvillohet në mënyrë të duhur për të ardhmen.
Zeka ka shtuar një plan i tillë ishte nisur të bëhej nga 2013-a, e nëpërmjet planit “Kalabria” si lagje “60 për qind të hapësirës e ka të lirë”.
“Defektet në pabarazi të koeficientit për banorë arritëm t’ua kthenim në 2.4 e më shumë hapësira publike për shkollë e çerdhe. Planet e reja s’e specifikojnë ku do të jenë shkollat dhe hapësirat, e nëse ka një lagje që mund të zhvillohet është ‘Kalabria’ pasi mbi 60 për qind të hapësirës e ka të lirë. Ky plan do t’ia mundësojë të zhvillohet në vitet në vijim...Park mbi 12 hektarë, nuk mund ta mbajmë peng ‘Kalabrinë’ duke u thirr në lagjet që janë degraduar në vitet e kaluara’”, ka thënë asamblisti i VV-së.