Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se mundësia e dërgimit të vendit në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit është ezauruar.
Krasniqi, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën ka thënë se thirrja e PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
“PDK-ja javëve të fundit ka pasur një angazhim të shtuar për ta dërguar vendin në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit për t’ia shkurtuar mandatin jofrytdhënës kësaj qeverie. Ky angazhim ka ardhur si rezultat i stagnimit të shtetit tonë. PDK-ja e ka konsideruar se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet. Në këtë mënyrë do të ishin vetë qytetarët ata që do të vendosnin se çfarë kahje do të merrte shteti”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se PDK-ja ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie.
“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual”, është shprehur kreu i PDK-së.
Krasniqi ka theksuar se edhe për PDK-në dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje, por mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.