Arbëri

Kosova pret votim të suksesshëm për ta avancuar statusin në Asamblenë e NATO-s, Serbia në fushatë për ta penguar

Nga 274 deputetë sa i ka Asambleja Parlamentare e NATO-s, deputetë të Kuvendit të Kosovës janë shprehur optimistë për sigurimin e shumicës së nevojshme për avancimin e statusit nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare, që këtë vit mbahet në Sofje të Bullgarisë, Serbia u ka nisur letra vendeve anëtare duke kërkuar që Kosovës mos t’i avancohet statusi

Delegacioni i Kosovës pret votim të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të saj nga vëzhgues në atë anëtar të asociuar, pasi sesioni i pranveror i kësaj Asambleje të Aleancës Veriatlantike ka nisur të premten në Sofje të Bullgarisë dhe në agjendë shqyrtimi është edhe çështja e Kosovës. 

“Në takimin e tyre në Sofje deputetët e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë dhe do të miratojnë vendime për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës për t'u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar. Ndër temat e forumit do të jenë sfidat në vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik. Këto diskutime do të nënvizojnë përkushtimin e Asamblesë për stabilitet në rajonet kyç me interes strategjik, si dhe për të nxitur dialog më të gjerë mbi sfidat globale”, është bërë e ditur në njoftimin e Asamblesë Parlamentare. 

Driton Hyseni, kryesues i delegacionit të Kosovës, ka thënë se pritet që votimi për avancimin e statusit të Kosovës të kalohet me shumicën e votave. 

“Si rrjedhojë e vendimit të komitetit të përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i votuar më 24 mars të këtij viti, në favor të ngritjes së statusit të delegacionit të Kosovës, ju konfirmoj se çështja e tillë është në agjendën e punimeve të Asamblesë dhe për të pritet votimi me shumicën e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, më 27 maj. Delegacioni ynë të premten udhëton drejt Sofjes/Bullgari dhe do të përfaqësojë Kosovën në punimet treditore të sesionit pranveror të Asamblesë. Presim epilog pozitiv dhe zyrtarizim të plotë të statusit të ri të delegacionit nga Kosova, si anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, ka theksuar Hyseni.  

Asambleja Parlamentare i ka 274 deputetë, nga 32 vendet anëtare të NATO-s. 

Për shumë vjet, Kosova e ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike. 

Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja. 

Pas fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE), Serbia është duke bërë përpjekje për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës edhe në këtë organizatë. 

Në letrën që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnbiq, i ka dërguar kryesuesit të delegacionit të Kroacisë në Asamblenë Parlamentare, Ante Baçiq, ajo ka thënë se avancimi i statusit të Kosovës do të kishte pasoja negative politike dhe të sigurisë. 

Në letër, Bërnabiqi po ashtu ka përmendur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve financiare serbe në veri, duke thënë se kjo është vazhdimësi e politikës së Qeverisë së Kosovës për dëbimin e serbëve. 

“Ju siguroj se dhënia e statusit të delegacionit të asociuar të të ashtuquajturit ‘Kuvendi i Kosovës’ pa dyshim se do të nënkuptonte ‘shpërblim’ të sjelljes së Prishtinës, e cila po bën gjithçka në fuqinë e saj për të penguar dialogun Beograd-Prishtinë dhe për të mos i respektuar zotimet e saj që dalin nga Brukseli, Marrëveshje të cilën NATO-ja dhe KFOR-i e njohin më së miri për shkak të pranisë së KFOR-it në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, është shkruar në letrën e Bërnabiqit. 

Para Bërnabiqit, edhe Instituti Ndërkombëtar për Siguri, me seli në Beograd, i është drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s me një letër, nënshkrues i së cilës është edhe Zoran Dragishiq, deputet dhe anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare.

“Si një organizatë e ekspertëve që përfaqëson dhe promovon integrimin euroatlantik dhe vlerat e tij për dy dekada, përfshirë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë beson se dhënia e statusit të anëtarit të asociuar Kuvendit të Kosovës do të ishte i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe posaçërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, është theksuar në letrën e kësaj organizate. 

Asambleja Parlamentare vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, që ka rol konsultativ mes parlamenteve të vendeve anëtare për Aleancën Veriatlantike. 

Organi drejtues i Kuvendit është Komisioni i Përhershëm, i cili përbëhet nga kryesuesi i çdo delegacioni anëtar, presidenti, zëvendëskryetarët, kryetarët e komisioneve të Kuvendit dhe të Grupit Special të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme.

Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare do të marrin pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare që do të zhvillohet nga 24 deri më 27 maj në Sofje, nën organizimin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë. 

Pjesëmarrësit do të diskutojnë temat që lidhen me agjendën e mbrojtjes dhe të sigurisë euroatlantike, me fokus te mbështetja për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në korrikun e sivjetmë në Washington të Shteteve të Bashkuara (SHBA). 

“Gjatë seancës Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmës së menjëhershme dhe afatgjatë për Ukrainën dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitore. Në hapje të seancës plenare, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, pritet t’u drejtohet me një mesazh parlamentarëve përmes video-konferencës”, është bërë e ditur në njoftimin e Asamblesë Parlamentare. 

Është planifikuar që në hapjen e seancës, pjesëmarrësit të priten nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michal Shcherba, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Rositsa Kirova si dhe nga kryeministri bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev.

Parlamentarët suedezë do të marrin pjesë në punimet e sesionit pranveror për herë të parë, pasi vendi i tyre është bërë anëtar i plotë i Aleancës. 

Asambleja do të marrë gjithashtu në konsideratë zbatimin e planeve të reja të mbrojtjes të NATO-s, përmbushjen e detyrimeve të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndarjen e barrës buxhetore për shtetet anëtare.