Arbëri

300 qeli burgu në Gjilan, për 10 vjet në shfrytëzim të Danimarkës

Pro kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare kanë votuar 81 deputetë, ani se nuk ka qenë në rend dite të seancës. Tek e ka prezantuar marrëveshjen para deputetëve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ajo do t’i sjellë shtetit përfitim prej 15 milionë eurosh në vit

 300 qeli të burgut të Gjilanit nga tash e për një dekadë do të jenë në dispozicion për të burgosurit e sistemit danez të drejtësisë, pasi dhënia në shfrytëzim e këtij institucioni korrektues për Danimarkën është mundësuar të enjten në seancën e Kuvendit.

Pro kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare kanë votuar 81 deputetë, ani se nuk ka qenë në rend dite të seancës. 

Marrëveshja me mbretërinë e Danimarkës, e cila parasheh që shteti danez t’i marrë me qira të 300 qeli burgu në Kosovë, është përfshirë si pika e pestë e rendit të ditës me propozimin dhe me mbështetjen e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). 

Tek e ka prezantuar marrëveshjen para deputetëve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ajo do t’i sjellë shtetit përfitim prej 15 milionë eurosh në vit.

“Sipas traktatit, Kosova do të vërë në dispozicion kapacitete të përshtatshme për 300 të burgosur të Mbretërisë së Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore, fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë euro të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, ka thënë Rizvanolli.

Marrëveshja ka kohë që ka qenë në pritje për votim në Kuvend. Para një jave ajo pati dështuar të merrte miratim, duke u kthyer në Qeveri për nisjen e procedurave nga e para. 

Në seancën plenare të së enjtes, për të kanë votuar edhe disa deputetë të partive opozitare. Por para kësaj, disa syresh kanë ironizuar në Kuvend tek kanë kërkuar që prezantimi i marrëveshjes të bëhet nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Me këtë ka ironizuar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Albulena aq shumë u tut, nuk po vjen hiç, prej frikës mos nuk po kalon kjo”, ka thënë ai. 

Ministrja Haxhiu ka munguar në seancë, porse më pas i ka falënderuar deputetët që votuan pro marrëveshjes nëpërmjet një postimi në Facebook. 

“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e kësaj marrëveshje të dobishme për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe e respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, ka shkruar Haxhiu.

Marrëveshja ka marrë votën edhe të disa deputetëve të Lidhjes Demokratike (LDK).

Por nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili ka qenë më herët kryetar i Komunës së Gjilanit, ku do të vendosen të burgosurit nga Danimarka, ka reaguar ashpër kundër marrëveshjes nëpër rrjete sociale, tek ka shprehur qëndrimin se ajo do ta dëmtojë imazhin e Kosovës. 

“Pa LDK-në as nuk mund të shkaktohen procese e as nuk mund të bëhen procese nga askush në Kosovë. Nga kjo Qeveri mundesh me pas veç të burgosur nga Danimarka që do të sillen në Kosovë dhe do të mbesin në Kosovë. Do t’i mbajmë mend për dështim brenda dhe imazhin e keq që i sollën Kosovës. Kur një vend bëhet i mirë për të burgosurit emigrantë të një vendi tjetër, atëherë vendasit si ne në Kosovë kërkojnë atdhe më të mirë për vete, jo jetë më të mirë këtu!”, ka shkruar Haziri.

E në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e kanë vlerësuar të ngutshëm ratifikimin e Marrëveshjes me Danimarkën për dhënien me qira të Burgut të Gjilanit. Në këtë qendër kanë përmendur mungesën e hapësirave të mjaftueshme dhe mungesën e debatit publik për të.
“Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. Aktualisht në Burgun e Gjilanit gjenden rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje duhet të zhvendosen në burgjet e tjera”, është thënë në reagimin e QKRMT-së.
Kosova e Danimarka kanë nënshkruar një letër-pëlqim në dhjetorin e vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. 

Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet, ndërsa Kosova do të përfitojë prej saj 210 milionë euro. 
Sipas Marrëveshjes, të burgosurit nga Danimarka do të dëbohen nga Kosova pasi që ta kenë vuajtur dënimin me burgim.