Me dyshime për shkelje është përcjellë procesi i rekrutimit të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil. Monitoruesit që veprojnë në kuadër të projektit britanik, kanë konstatuar se tre kandidatë janë përfshirë në listë të ngushtë, pa përmbushur kriteret dhe kanë theksuar se këtu ka punë për hetuesit. E në shoqërinë civile kontestuan edhe ligjshmërinë e komisionit vlerësues
Kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret janë përfshirë në listën e ngushtë të procesit të zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), është konstatuar nga monitorues që janë pjesë e projektit CorrWatch, të mbështetur nga Ambasada britanike.
Ata kanë gjetur se nga 10 kandidatët që kanë aplikuar, AAC gjatë vlerësimit ka filtruar fillimisht vetëm 4 nga ta, e më pas ka futur në listë të ngushtë edhe 3 të tjerë të cilët nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.
Në një përgjigje që Ambasada britanike e ka dhënë për KOHËN, theksohet se nëse procesi nuk rishqyrtohet, duhet të aktivizohet hetuesia.
“Projekti ka gjetur se tre kandidatë të cilët janë shtuar në listë më vonë, nuk i kanë plotësuar kriteret, andaj kërkon që procesi të rishikohet sepse kjo paraqet shkelje ligjore. Nëse procesi nuk kthehet në rishikim, i mbetet organeve të drejtësisë të vlerësojnë validitetin e procesit dhe shkeljet e identifikuara nga projekti”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Përgjegjësia për caktimin e listës së ngushtë të kandidatëve i ka takuar AAC, ndërkaq vlerësimi i mëtejmë do të bëhet nga Komisioni që është përzgjedhur nga Qeveria.
Ai përbëhet prej Izedin Bytyqi, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm në Ministri të Infrastrukturës, Leonita Shabani-Mullaram, ushtruese detyre e sekretares së përgjithshme në Ministri të Ekonomisë, Besim Kamberaj, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm në Ministri të Zhvillimit Rajonal, Lulzim Aliaj, ekspert i Jashtëm dhe Safete Selmani, udhëheqëse e Burimeve Njerëzore në Autoritetin e Aviacionit Civil.
Asnjëri prej tyre nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS se si do të veprohet me këtë proces rekrutimi, meqë testimi pritet të bëhet të enjten.
Por, përveç shkeljeve në proces, është vlerësuar të jetë e kundërligjshme edhe përbërja e Komisionit.
Naser Shamolli është hulumtues i lartë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe thotë se në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë, Qeveria ka themeluar komisione me anëtarë që janë ushtrues detyre.
“Një nga kriteret bazë që është te përbërja e komisioneve, thuhet decidivisht që tre nga anëtarët duhet të jenë nëpunës civilë në pozita të larta drejtuese... Mospërmbushja e këtij kriteri që përbërja e komisionit duhet të jetë me anëtarë nga niveli i lartë drejtues, çon në paligjshmëri dhe e dëmton, e cenon komplet procesin që supozohet të prodhojë meritokraci dhe të sjellë kandidatë seriozë për këto pozita”, ka thënë Shamolli.
Në Aviacionin Civil thanë se është në kompetencë të Qeverisë të vendosë për ecurinë e këtij procesi rekrutimi. Por, në Qeveri prej të martës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.
Vetëvendosja është zotuar për depolitizim të administratës, por opozita e ka akuzuar atë se në shumë pozita udhëheqëse ka vendosur njerëzit e saj.
Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë.
Në gusht të 2023-s, drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, ishte shkarkuar nga Qeveria.
Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, pati thënë se janë disa shkelje që janë bërë nga Ejupi.
“Mosaprovimi i raporteve të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të z. Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje, i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga EAS-a si dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z.Bujar Ejupi nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së”, pati arsyetuar Durmishi shkarkimin e drejtorit.
E pesë ditë më pas, policia zbarkoi në AAC, por nuk dha detaje për qëllimin e hetimeve.