Arbëri

Kosova fajësohet për aksionet “që pengojnë dialogun”

Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer me qeverinë e Kosovës pas aksionit të së hënës për mbylljen e gjashtë institucioneve financiare serbe që vepronin ilegalisht në veri. Por njohës të rrethanave thonë se veç presionit mbi Kosovën, duhet që edhe Serbia të merret në përgjegjësi për shkak të obstruksioneve që kanë bllokuar dialogun

Veprim të pakoordinuar që përshkallëzon edhe më tej tensionet në veriun e populluar kryesisht me serbë, e ka kualifikuar Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e zyrave financiare serbe në veri. 

Në Departamentin amerikan i Shtetit deklaruan se ky veprim minon përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE). 

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, kanë thënë në DASH.

Qeveria amerikane ka bërë thirrje vazhdimisht për koordinim mes Kosovës e ShBA-së për ta mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Këtë e ka bërë edhe përmes nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elizabeth Allen, e cila më 19 maj takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

KFOR-i ishte njoftuar për aksionin

Por në Misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë thënë se janë njoftuar “pak para” aksionit të Policisë në veri në gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore.

Nëpërmjet një njoftimi për media, KFOR-i bëri të ditur se personeli i tij nuk ka qenë i përfshirë në aksion.

Përfaqësues të këtij misioni kanë shprehur pritjen për “konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

Teksa kanë shtuar se vazhdojnë ta përkrahin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sipas KFOR-it, kjo është e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjeve dhe gjetjen e zgjidhjeve. 

Ndërkaq në OSBE kanë deklaruar se po monitorojnë me shqetësim veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës kundër institucioneve financiare në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

“OSBE-ja mirëpret përpjekjet e bëra nga BE-ja, si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë, për të gjetur një mënyrë të dakorduar për trajtimin e transaksioneve me para të gatshme. Është thelbësore që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në në një përpjekje të dyfishuar për t’i zgjidhur këto çështje brenda dialogut, për të shmangur veprimet destabilizuese dhe për t’i vënë si prioritet kryesor interesat dhe mirëqenien e banorëve të zakonshëm të të gjitha komuniteteve”, shkruan në reagimin e OSBE-së.

Pengesat në dialog

Aksionet e ndërmarra në veri, BE-ja e ShBA-ja në vazhdimësi i ka parë si pengesë për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut dhe për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës e Serbisë. 

Por eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer thotë se veç presionit mbi Kosovën, duhet që edhe Serbia të merret në përgjegjësi për mospërmbushje të obligimeve.

“Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë obligimet që i ka sipas marrëveshjes së 2013-s. Serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Beogradi duhet ta ndalë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane. Serbia duhet t’i ndalojë trazirat dhe t’i dorëzojë terroristët e saj për gjykim në Kosovë, si dëshmi se Beogradi e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka thënë Serwer. “Nuk kam asnjë dyshim se Prishtina do ta shikonte Asociacionin ndryshe nëse Beogradi do t’i përmbushte të gjitha këto kushte. Serbia duhet të japë për të marrë. Këtë e kërkon marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin”.  

Përpjekja e emisarëve evropianë dhe amerikanë për t’u dhënë fund mospajtimeve mes Kosovës e Serbisë, deri tash rezultoi e dështuar dhe dialogu mbeti nën hijen e tensioneve. 

Ani pse palët u zotuan gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, jo që nuk pati zbatim të saj, por situata përshkallëzoi me protestat më të dhunshme vitet e fundit në veri dhe me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, e edhe tre pjesëtarë nga grupi sulmues. 

Për pasojë Emisari i BE-së i cili mbështetej edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor – që të dy në përfundim të mandateve – u morën me menaxhimin e krizës.  

Zgjidhja nuk u arrit as pas shtatë takimeve

Aksioni në veri u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë me radhë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb. 

Të hënën autoritetet në Kosovë kryen një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë. Me këtë rast, Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se konfiskoi rreth 1 milion e 600 mijë euro, rreth 74 milionë dinarë serbë, rreth 19 mijë e 500 franga, si dhe rreth 13 mijë e 800 dollarë amerikanë. 

Por Banka Kursimore Serbe njoftoi të martën se mjetet e të gjithë klientëve të saj janë të sigurta dhe nuk do të dëmtohen.

Sipas zyrtarëve të saj, përkundër “ndalimit të përkohshëm” të funksionimit të degëve në veri të Kosovës, klientët mund të kryejnë të gjitha shërbimet bankare në degët më të afërta, të cilat ndodhen në vendkalimet kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Merdar dhe Konçul.
Në njoftim thuhet po ashtu se të gjithë punëtorët e Bankës Kursimore të Postës në veri të Kosovës mbeten të punësuar.

Muajin e kaluar, Serbia ka ngritur edhe degë të improvizuara të kësaj banke në afërsi të katër pikave kufitare, të destinuara për serbët nga Kosova.

Autoritetet në Kosovë kryen të hënën një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe.

Aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore. 

Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë serbë e quajtën vazhdimësi të përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për t’ua vështirësuar jetesën serbëve në veri. 

Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euroja.