Arbëri

Gjyqtari e la kundërligjshëm në liri, KGJK-ja mori masa ndaj tij vetëm pas arratisjes së Sekiraqës

Enver Sekiraqa

KOHA-ARKIV

Foto: Driton Paçarada

Ditën kur Enver Sekiraqa u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza, kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi, vendosi që masën e arrestit shtëpiak atij t’ia zëvendësojë me atë të mbrojtjes në liri, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Neni 366 i Kodit specifikon që me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit, me të cilin i akuzuari dënohet me burgim, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues e cakton apo e vazhdon paraburgimin kur ekzistojnë kushtet nga neni 184, paragrafi i fundit; apo e ndërpret paraburgimin nëse i akuzuari ndodhet në paraburgim kur pushojnë së ekzistuari shkaqet për të cilat është paraburgosur.

E neni 184 thotë se gjyqtari duhet t’i japë rëndësi të veçantë faktit nëse i dyshuari në të kaluarën ka shkelur ndonjë masë më të butë, të caktuar nga institucionet.

Kuçi nuk e mori parasysh faktin që Sekiraqa, si i dyshuar në këtë rast, ka qenë rreth 5 vjet në arrati. E vetëm pas arratisjes së dytë të tij, Këshilli Gjyqësor mori masa ndaj gjyqtarit Kuçi.

Nëpërmjet një komunikate për media, në KGJK njoftuan të martën për suspendimin e gjyqtarit.
Për dy javë prej kur është marrë vendimi, ky institucion nuk kishte iniciuar rast.

“Këshilli, bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent, me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetojë në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pandikuar”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti e hapi të martën mbledhjen e rregullt të Qeverisë me kritika për gjyqësorin rreth arratisjes së Sekiraqës.

“Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit, me gjyqësorin e mirë, që drejtësinë dhe ligjin i bën sinonime në përshtypjen e qytetarëve dhe të shoqërisë mbarë. Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë. Reforma në drejtësi, që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë. Urgjencë institucionale. Urgjencë shtetërore. Urgjencë kombëtare”, ka thënë Kurti.

Ai ka ngre dyshime që kjo mund të mos jetë rastësi.

“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij (Triumf Riza v.j.), Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, ka deklaruar ai.

Ai edhe në raste të tjera më parë ka kritikuar sistemin e drejtësisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Sekiraqën për të tretën herë për “nxitje të vrasjes së rëndë” të policit Riza. Ndryshe prej dy vendimeve paraprake, kur i qe shqiptuar dënimi prej 37 respektivisht 30 vjetësh burgim, Sekiraqa në fillim të majit u dënua me 25 vjet heqje lirie.
 


KGJK-ja suspendon gjyqtarin në rastin e Enver Sekiraqës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka suspenduar gjyqtarin në rastin e Enver Sekiraqës.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate publikuar në faqen zyrtare të KGJK-së.

Siç bëhet e ditur mbledhja e jashtëzakonshme me dyer të mbyllura është mbajtur me dy pika të rendit të ditës.

“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar më 18 maj se Enver Sekiraqa nuk është gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës së javës së kaluar, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim.

Apeli të premten, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, kishte vendosur ta kthente Sekiraqën në paraburgim, pasi Themelorja më 3 maj  ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, “për nxitje në vrasjen” e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

Sekiraqa ishte dënuar dy herë, por rasti ishte rigjykuar.