Oficeri Dietrich Jensch ka thënë se pa së paku një të vdekur dhe disa persona që mbaheshin në ish-ndërtesën e MUP-it, në të cilën paslufte ishte vendosur UÇK-ja. Ai tha se nuk e dinte që UÇK-ja hyri në qytet, duke e kundërshtuar urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm. E dëshmitari Baptist Johan Fritsch është shprehur se “edhe MUP-i serb, edhe UÇK-ja më pas i kishin përdorur të njëjtat mjete që kishin në dispozicion për torturim të të burgosurve”
Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Jensch, foli të martën në Gjykatën Speciale në Hagë për një fotografi, të cilën tha se e shkrepi në Prizren menjëherë pas luftës, pasi pa së paku një njeri të vdekur e të tjerë që, sipas tij, mbaheshin peng nga UÇK-ja.
Në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm nuk u shfaq fotografia të cilën ai ia ka dorëzuar prokurorisë dhe për të cilën tha se tregon imazhin brenda një ndërtese të MUP-it serb, në të cilën tha se pas lufte u vendos UÇK-ja.
“Duke pasur parasysh faktin që kishim një person të vdekur dhe disa persona të marrë peng, unë e konsideroja situatën si akt penal dhe doja të dokumentoja personat që ishin përgjegjës përmes fotografisë”, ka thënë Jensch.
E gjatë përgjigjeve dhënë mbrojtjes së të akuzuarve, dëshmitari Jensch u shpreh se pas përfundimit të luftës përpos civilëve kosovarë që ktheheshin në shtëpitë e tyre, hynin edhe kriminelë nga Shqipëria.
“Të paktën më kujtohen dy incidente ku kemi arrestuar persona të cilët po vidhnin dhe po grabisnin dhe ata mbaj mend të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria”, ka deklaruar ai.
E avokatja Nina Tavakoli, e cila e mbron ish-presidentin Hashim Thaçi në këtë proces gjyqësor, tha se trupat e UÇK-së kishin hyrë në Prizren, në kundërshtim me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm. Atij ia përmendi edhe rastin e komandantit Ekrem Rexha, që kishte pasur një incident me forcat gjermane.
“Tani a do të habiteshe nëse ju them që komandant Drini, vetë prania e tij në Prizren pas vendimit që mori për t’i udhëhequr forcat e tij në qytet, është marrë dhe është ndaluar për shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, i cili e kishte urdhëruar atë që të mos hynte në Prizren”, ka pyetur avokatja Tavakoli.
E oficeri Jensch tha se nuk e dinte se UÇK-ja kishte hyrë në qytet, në kundërshtim me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm.
Avokatja Tavakoli prezantoi edhe një dokument në të cilin thuhej se Hashim Thaçi i ishte zotuar sekretares së Shtetit amerikan, Madeleine Albright, më 8 qershor se UÇK-ja nuk do të sulmojë forcat serbe që ishin duke u tërhequr. Edhe për këtë dokument dëshmitari tha se nuk është në dijeni.
Pasi ai e përmbylli, dëshminë e nisi një tjetër gjerman.
Bazuar në prezantimin e prokurores Vega Iodice, dëshmitari Baptist Johan Fritsch, ish-zyrtar për shtyp në kontingjentin e KFOR-it, më 18 qershor 1999 ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren.
Iodice tha se ky dëshmitar kishte parë trupin e pajetë të një të ndaluari në këtë ndërtesë, po ashtu, sipas saj, ky dëshmitar ka dokumentuar dhunën ndaj pakicave serbe dhe rome.
“Dëshmitari ‘03881’ pa trupin e pajetë të një të ndaluari dhe konfirmoi se KFOR-i trajtoi lëndimet e të ndaluarve. Ai u bëri fotografi viktimave, lëndimeve të tyre dhe materialeve të sekuestruara nga KFOR-i të marra prej ushtarëve të UÇK-së. 03881 gjithashtu ishte i pranishëm dhe dëshmitar, dhe dokumentoi dhunë ndaj pakicave serbe dhe rome. Dëshmitari 03881 mbajti një ditar të shkruar me dorë me fotografitë që kishte bërë”, ka thënë ajo.
Fritsch ka thënë se ka dokumentuar edhe mjete të torturimit të cilat ishin përdorur nga MUP-i, më pas edhe nga UÇK-ja në këtë ndërtesë.
“Edhe MUP-i, edhe UÇK-ja më pas i kishin përdorur të njëjtat mjete që kishin në dispozicion”, tha dëshmitari.
Fritsch pritet që dëshminë ta vazhdojë edhe gjatë të mërkurës.
Nis dëshminë gjenerali gjerman: Kemi kapur persona me uniforma me flamuj gjermanë që plaçkitnin
Oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, ka deklaruar se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli dëshmitari ka theksuar se këtyre personave iu kanë thënë që t’i hiqnin të paktën flamujt e Gjermanisë. Sipas tij, kishte persona që vinin nga Shqipëria për të kryer vjedhje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Të paktën me kujtohen dy incidente që kemi arrestuar persona që po vidhnin dhe grabisnin dhe mbajë mend që ata të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria…Shpeshherë ka ndodhur që ne t’i kemi kapur personat që kishin veshur uniforma gjermane me flamurin gjerman dhe iu kemi kërkuar atyre që të paktën të i hiqnin flamujt gjerman në mënyrë të tillë që ata të mos identifikoheshin më si anëtarë të ushtrisë”, ka deklaruar dëshmitari.
Po ashtu ai ka pohoi se para tërheqjes së trupave serbe dhe pas kthimit të refugjatëve kosovar në Kosovë kishte veprime hakmarrëse.
“Po kam parë dhe kam qenë dëshmitari i disa prej tyre edhe vetë”, është shprehur ai.
Dëshmitari ka theksuar se kishte parë disa zjarrëvenie sa ishte në Kosovë e shumë prej tyre i kishte parë nëpërmjet televizionit pasi ishte kthyer në Gjermani.
Tutje, dëshmitari Klaus Jensch ka pohuar se veprimet e plaçkitjes janë kryer edhe nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.
“Ka pasur veprime plaçkitje, me kujtohet një skenë ku përfshiheshin ushtarët e ushtrisë ish-jugosllave që po qëllonin me të shtëna në ajër dhe një komandant major gjerman i cili dinte pak gjuhën vendore dhe arriti që të qetësojë pak situatën. Pra, kishte një përballje në mes pjesës shqiptare të popullsisë dhe forcave jugosllave që po largoheshin”, ka thënë ai.
Ndërsa, për rastin në godinën MUP-it në Prizren, dëshmitari ka theksuar se pasi dy prej të ndalurve ishin shkuar në shkollën e manastirit në Prizren ku mbaheshin refugjatët kishin deklaruar se kanë parë dy persona të cilët i kishin rrahur.
“Rreth orës 15:00 dy personave që jetojnë aktualisht në shkollën e Manastirin në Prizren kanë njohur Sami Rexhepin dhe komandantin e UÇK-së Nezir Kryezin përmes dritares dhe kanë thënë se janë rrahur në mënyrë të përsëritur dhe janë keqtrajtuar nga ata kur janë mbajtur në ish-ndërtesën e MUP-it”, ka deklaruar ai.
Dietrich Klaus-Jensch është dëshmitari i 63-të në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai ka filluar dëshminë e tij të martën.