Asociacioni

BE-ja: Drafti i Lajçakut ka mbështetjen e vendeve anëtare, paralajmërimet e Kosovës të paqarta

Peter Stano

Bashkimi Evropian nuk ka sa duhet njohuri për përmbajtjen e mundur të draftit që ka paralajmëruar se do ta bëjë Kosova për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Por rikujton se drafti i propozuar nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak “është i mbështetur si dokument nga 27 vendet anëtare”.

Këtë e ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano. 

BE-ja nga njëra anë ka mirëpritur gatishmërinë e Kosovës për të bërë hapa drejt Asociacionit, që nuk e ka bërë që nga viti 2013, por rikujton se “statuti duhet të paraqitet dhe diskutohet në dialog”. 

Stano ka thënë se për këtë statut që ka paralajmëruar Ministria e Jashtme e Kosovës nuk është diskutuar as me Serbinë e as me BE-në. 

“Përmbajtja e një statuti të paralajmëruar se do të draftohet nga Qeveria e Kosovës është e panjohur në këtë fazë për ne, e padiskutuar as me Serbinë e as me lehtësuesit e BE-së. Prandaj nuk është e mundur të vlerësohet se a është në përputhje  me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015” ka thënë Stano.

BE-ja thotë se Kosova ka pasur raste të shumta për të bërë lëvizje drejt themelimit të Asociacionit, por nuk i ka shfrytëzuar. 

Ndërsa, sipas BE-së, “Serbia dhe Kosova kishin shprehur gatishmëri për ta pranuar atë draft të propozuar nga lehtësuesi dhe ai ishte mbështetur nga 27 vendet e BE-së”.

“Këshilli Evropian në konkluzat nga dhjetori i vitit 2023 kishte mirëpritur gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës që ta pranojnë draftstatutin e prezantuar nga lehtësuesi i BE-së. Kjo paraqet pranim të këtij dokumenti nga 27 vende anëtare të BE-së”, thotë në përgjigjen e tij ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së shprehet se procesi i dialogut në Bruksel dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “janë të ndara”, por se të përbashkët kanë brengën për ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, ndërsa Asociacioni po shihet si rrugë në këtë drejtim.