Arbëri

Identifikohen makineri që punonin në gërmim ilegal të zhavorrit në Drinin e Bardhë

Ekipe të Inspektoratit të Ministrisë të Mjedisit dhe Infrastrukturës, së bashku me Policinë e Kosovës, kanë identifikuar në terren disa makineri që po mblidhnin dhe bartnin ilegalisht zhavorr përgjatë Drinit të Bardhë. Operacioni është zhvilluar në disa fshatra të Gjakovës dhe të Rahovecit. Aksioni i së enjtes nuk ka rezultuar me arrestimin e ndonjë personi, por gjatë tij janë sekuestruar makineri të cilat janë përdorur për ta kryer aktivitetin ilegal

Ani se nën riga të shiut, një dron u ngrit të enjten përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë në Kramovik të Gjakovës. Për mision pati që të zbulojë lokacioneve në të cilat bëhet gërmim dhe mbledhje ilegale e zhavorrit në këtë pjesë të lumit. 

Veprimi është pjesë e aksionit të parë të Ministrisë së Infrastrukturës, të ndërmarrë me Inspektoratin e ujërave dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas themelimit një muaj më parë të Task forcës së gjelbër për mbrojtjen e mjedisit.

Nëpërmjet imazheve të ofruara nga droni, ekipet arritën të identifikojnë disa lokacione, në të cilat janë hasur disa ekskavatorë që kanë kryer veprimtarinë ilegale të gërmimit dhe mbledhjes së zhavorrit.

Në një terren vështirë të kalueshëm, ekipet kanë hasur në një ekskavator të fikur dhe pa shofer. Pas kësaj, u lajmëruan ekipe shtesë për të ndihmuar në ndezjen e mjetit, si dhe Policia lokale për ruajtjen e tij deri në sekuestrim.

Vetëm disa kilometra më larg, përfaqësues të inspektoratit dhe të policisë kanë gjetur një tjetër automjet. Kamioni pa targa identifikuese është hasur i ndalur në mes të një rruge, i mbushur përplot me zhavorr.

Për të arritur deri tek pika tjetër afër fshatit Ratkoc në Rahovec, rruga ka qenë e bllokuar shkaku që kamioni i ngarkuar e pamundësoi lëvizjen tutje të ekipeve me vetura. Operacioni vazhdoi në këmbë, nëpër një terren të baltosu dhe me gropa të shumta të mbushura me ujë, përtej të cilave është hasur në edhe një tjetër ekskavator. Me të, aktiviteti ilegal u konstatua se ishte duke u kryer deri pak momente para mbërritjes së ekipit, pasi që motori i ekskavatorit u gjet i ndezur, porse pa shoferin që e ka drejtuar.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit, aksioni së enjtes është zhvilluar në kuadër të Task-Forcës së gjelbër, e cila është themeluar një muaj më parë me qëllim të mbrojtjes së mjedisit. 

Agim Mazreku, këshilltar politik i kësaj ministrie, ka thënë se aktivitetet ilegale janë shkaktar të vërshimeve të shpejta dhe të humbjes së biodiversitetit.

“I kemi evidentuar disa lokacione në disa fshatra të ndryshme. Vetëm sot, me fluturimin e dronit dhe evidentimin e zonës përreth, kemi evidentuar rreth nja gjashtë ekskavatorë dhe kamionë të ndryshëm, por që disa prej tyre kanë qenë në një terren shumë të vështirë, që së bashku me njësinë speciale i kemi evidentuar me intervenimin e inspektoratit por edhe policisë, dhe të njëjtën kohë do vazhdojmë tutje duke lajmëruar edhe bashkëpunëtorë të tjerë për sekuestrimin e atyre pajisjeve”, ka thënë Mazreku.

E përfaqësuesi i inspektoratit, Elbasan Shala, ka kualifikuar të vështirë identifikimin e personave përgjegjës për degradimin e shtretërve të lumenjve. 

“Për shumicën e këtyre bizneseve kemi informata, por është problemi se ka ndërrime të shpeshta të pronarëve të bizneseve për shkak se janë thuajse biznese ilegale dhe ndërrimet janë shumë të shpeshta të pronarëve të këtyre bizneseve. Prandaj, ne duhet t’i identifikojmë një nga një përsëri... Pajisjet të cilat janë hasur në punë do të sekuestrohen, do të dërgohen në një lokacion i cili është caktuar nga taskforca dhe ministria, dhe më pas do të vazhdohen të gjitha procedurat deri në vendimin përfundimtar nga Gjykata për konfiskimin e këtyre pajisjeve”, ka bërë të ditur ai.

Në Inspektorat kanë paralajmëruar operacione të ngjashme edhe në ditët në vijim me qëllim të parandalimit dhe të kapjes në flagrancë të aktiviteteve ilegale.