Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka cilësuar si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin. Ai ka thënë se pala serbe në takim ka ardhur me propozime të reja për çështjen e jo me përgjigje ndaj propozimit të ndërmjetësit Lajçak.
“S’ka logjikë të takohemi më për këtë temë. Sepse Serbia s’është e interesuar për zgjidhje. E ky ishte edhe njëfarë konstatimi i Lajçakut që tha se nuk do të ju ftoj më por ju nëse dëshironi të bëheni konstruktivë, mund të rishohim mundësinë e takimit të sërishëm”, ka deklaruar ai. “Ajo që ka ndodhur është se të dyja palët kemi pasur për t’i dërguar komentet mbi propozimin e Lajçakut, e ata kanë dërguar propozim të tyrin. Te propozimet tona janë parë pikat që mund të bëjmë kompromise e të afrohemi, ndërsa te Serbia tendencën që të largohemi edhe nga qëndrimet paraprake”.
Ai ka thënë se kjo dëshmon që për Serbinë çështja e dinarit nuk paraqet diçka urgjente. Ai ka thënë se bazuar në propozimin e Serbisë, mund të konstatohet se ky shtet i ka dy qëllime. “Që të legjitimojë strukturat paralele ilegale dhe të sigurohet mungesa e transparencës”, ka shtuar Bislimi.
“Ata janë përpjekur ta keqpërdorin platformën e dialogut në Bruksel për rregullimin e shërbimeve postare në Kosovë, kanë kërkuar të drejtën e një kompanie që të aplikojë me idenë që në qoftë se aplikon duhet të marrë edhe licencën si institucion financiar bankar. Do të thotë 95% e propozimit serb është propozim për legalizim të strukturave, por nuk merret fare me përfituesit final të ndihmave apo mbështetjes nga Serbia. Ata kanë bërë të qartë që sipas tyre zgjedhja e përkohshme duhet të jetë zgjedhje e përhershme gjatë së cilës qytetarët kanë të drejtë të injorojnë plotësisht rregullin e Bankës Qendrore dhe të marrin në kesh mbështetjen financiare që e kanë pasur për ta dhe natyrisht kjo ka qenë garancë që nuk mund të ketë një dakordim gjatë ditës së sotme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se që nga takimi i tretë s’ka pasur lëvizje përpara nga ekipi i Serbisë. Sipas tij, ata kanë bërë vetëm tërheqje.
“Në komentet që kanë dërgu dje ata kanë thënë që janë dakord që të krijohet një ndërmarrje e re në Kosovë e cila gjatë periudhës së përkohshme do të mund të transferonte paratë në zarfa për ata persona që janë në moshë të shtyrë dhe nuk mund të hapin llogari bankare. Ndërkaq sot insistonin që kjo duhet të jetë kompani shtetërore serbe por e krijuar në Kosovë si një etnitet privat që nuk ka kurrfarë logjike ekonomike”, ka shtuar tutje.
Bislimi është shprehur se pala serbe ka kërkuar dakordim për krijimin e një kompanie serbe në Kosovë, me arsyetimin “sepse ne duhet të dakordohemi kështu se kështu kemi bërë në të kaluarën, në të kaluarën e kemi pas lehtë të dakordohemi për Telekomin e Serbisë, e kemi pas lehtë të dakordohemi për Elektroseverin, pse mos të përdorim logjika të tilla edhe me tej”.
Ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se Serbia ka pasur “gjashtë propozime të reja konstruktive”, por se “Prishtina i ka refuzuar të gjitha”.
“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë ai, sipas Radio Evropës së Lirë.
Bislimi ka akuzuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, për “josinqeritet dhe jokorrektësi” në raport me marrëveshjet e Brukselit dhe politikanët e Kosovës, duke iu referuar deklaratës së tij kritike ndaj Kosovës për refuzimin e vizitës së patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
“Nëse përgjigja pozitive s’është shkelje e marrëveshjes as negativja s’është. Pastaj mund të flasim për arsyet pse Kosova e ka parë të arsyeshme të refuzojë”, ka thënë Bislimi duke shtuar se ndër arsyet janë qëndrimet e Serbisë rreth dialogut, shkeljet që ajo ua bën marrëveshjeve e deklaratat e vetë Porfirijes ndaj Kosovës.
Një ditë më parë, Stano u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës shkel marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare.
Mbyllet takimi trepalësh, tash takime shtesë
(E përditësuar 17:33) - Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel, për çështjen e dinarit. Tani do të mbahen edhe disa takime shtesë të palëve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Nuk janë dhënë njoftime se cili ka qenë epilogu i takimeve të deritashme që kanë zgjatur nga mëngjesi, me disa pauza.
Vazhdon takimi trepalësh në Bruksel
(E përditësuar 13:55) - Janë bërë më shumë se katër orë që kur ka nisur takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit.
Sipas raportimeve, takimi ende po vazhdon.
(E përditësuar 10:10) - Pak para orës 10:00 ka nisur takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit, raporton “Tanjug”.
Në Bruksel janë takuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi përkatësisht Petar Petkoviq dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Lajçak është shprehur optimist se mund të arrihet marrëveshje në takimin e sotëm, i cili është i shtati që i dedikohet dinarit.
LEXO EDHE:
Sot takimi i radhës për dinarin
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, pritet të takohen sot në Bruksel për të diskutuar për çështjen e dinarit.
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur optimist për finalizimin e zgjidhjes rreth ndikimit të zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore, në mesin e komunitetit serb.
Ky është takimi i shtatë me radhë për këtë çështje.
“Do të jem nikoqir i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për diskutime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme dhe të qëndrueshme për ata që preken nga Rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Jam i sigurt se një marrëveshje mund të arrihet, por do të kërkoj fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët”, ka njoftuar Lajçaku.
Të dielën e javës që shkoj ka skaduar plani i aprovuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për periudhën transitore për dinarin.
BQK-ja nuk ka dhënë sqarime se si do të funksionojnë mekanizmat ndëshkues që ndërlidhen me pagesën me dinarë.
Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme nuk parasheh masa ndëshkuese që ushtrohen prej BQK-së, derisa nuk është raportuar për ndonjë zhvillim sa u përket gjobave apo masave administrative lidhur me përdorimin e dinarit.
Në BQK kanë thënë se janë organet e tjera ekzekutive që merren me një gjë të tillë, përfshirë Administratën Tatimore, Doganën e Policinë e Kosovës.
E në Qeveri nuk kanë treguar se çka do të ndodhë tani e tutje që plani i BQK-së ka skaduar.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për televizionin publik ka thënë se BQK-ja e ka sqaruar tashmë se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi.