E përditësuar (23:15) - Sindikata e Policisë së Kosovës, në një komunikatë për media të premten në mbrëmje, ka njoftuar se togeri i suspenduar nën dyshimin për “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara” është kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.
Këshilli drejtues i Sindikatës ka thënë se distancohet nga “veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të PK-së”.
“Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës se Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së, respektivisht Kryetarit të SPK-së, në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Fotografim dhe incizime tjerat t’ paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së. Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo çofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të PK-së . Ditëve ne vijim KD i SPK - së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit në SPK”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.
KOHA i ka dërguar pyetje Zeqirit të premten në mbrëmje. Sapo të ketë përgjigje artikulli do të përditësohet.
Rekomandohet suspendimi i togerit policor për shkak të “fotografimit dhe incizimit të paautorizuar”
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.
Sipas njoftimit nga IPK-ja, departamenti i hetimeve pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet të jetë kryer vepra penale. Në njoftim theksohet se kjo ka ndodhur në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
IPK-ja ka thënë se zyrtarët e saj kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor ka thënë se është i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.