Arbëri

KiE: Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale, për momentin Kosova s’është në agjendë

Keshilli i Evropes

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për momentin nuk e ka në agjendë çështjen e Kosovës, kanë konfirmuar nga KiE.

Komiteti mblidhet javën e ardhshme dhe aty pritej që pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE të shkonte në duart e Ministrave të Jashtëm të Këshillit që do të vendosnin përfundimisht nëse Kosova do të bëhej anëtarja më e re e organizatës.

“Sa për sqarim, diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Në këtë moment, Kosova nuk është në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë, por do t’ju njoftojmë për zhvillimet”, kanë thënë nga Këshilli i Evropës për KOHËN.

Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk pranon që këto dy çështje të lidhen me njëra-tjetrën.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur absurd kushtëzimin e të dyja shteteve që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.


Masat ndaj Rusisë, të drejtat e njeriut në agjendën e KiE-së më 17 maj

Zgjerimi i masave sanksionuese ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës do ta dominoj agjendën e Komitetit të Ministrave në takimin e 17 majit, i cili mbahet në kuadër të 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës. Të pyetur rreth mundësisë që Kosova të futet në agjendë, zyrtarë të kësaj organizate kanë thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale, dhe për momentin s’është në rend dite.

“Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon t’i marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në vitin 2023) dhe miratimin të një Konvente për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe sundimin e ligjit”, shkruan në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës.