Banorë të lagjes “Kalabria” në kryeqytet kanë hyrë në mbledhjen e Asamblesë Komunale të Prishtinës duke kërcënuar nëse nuk kalon në seancën e thirrur për 24 maj plani rregullues për këtë lagje.
Ata kanë kërcënuar me djegie të Kuvendit. Gjuha është dënuar nga kryetari Përparim Rama. Pas deklaratës së Ramës, banorët lëshuan sallën.
Në sallë janë edhe disa bujq të Prishtinës që kanë kërkuar që të kalojë më shpejt pika e rendit të ditës që ka të bëjë me kompensimin e dëmeve të bujqve nga vërshimet e vitit të kaluar.
Seanca po përcillet me tone të larta të asamblistëve.
Në mbledhjen e sotme është kërkuar edhe themelimi i një komisioni për ta hetuar ndaljen e mikrofonëve të asamblistëve në seancën e shkuar. Për këtë gjë pati përplasje të ashpër mes nënkryetarit Alban Zogaj dhe asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla.